Protestë dhe përplasje me policinë për shkak të bagëtive që prej vitesh shkaktojnë dëme në prona, ara dhe rrezikojnë sigurinë e banorëve.
Banorët e Kriva Pallankës kanë protestuar dhe bllokuar një pjesë të rrugës magjistrale drejt Deve Bairit, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të rreth 1.000 lopëve që lëvizin të pakontrolluara nëpër qytet dhe fshatrat përreth.
Gjatë protestës pati edhe përplasje fizike mes demonstruesve dhe policisë.
Banorët thonë se problemi vazhdon prej vitesh, ndërsa bagëtitë u shkatërrojnë të mbjellat, hyjnë në oborre private dhe rrezikojnë sigurinë e qytetarëve. Madje, më herët, lopët kishin hyrë edhe në oborrin e një shkolle.
Edhe pse institucionet kanë marrë vendime për konfiskimin e bagëtive që nga viti 2024, ato ende nuk janë zbatuar plotësisht.
Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Sashko Mitovski, i cili kërkoi ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për zbatimin e vendimeve.
Komuna ka kërkuar shpalljen e gjendjes së krizës për 30 ditë, ndërsa më 18 nëntor janë dorëzuar edhe kallëzime penale dhe kërkesë për hetim antikorrupsion, lidhur me moszbatimin e vendimeve.
Ndërkohë, qeveria pritet që më 24 nëntor të shqyrtojë një plan aksional për konfiskimin dhe sistemimin e bagëtive.
Deri tani, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka arritur të kapë 96 krerë bagëti, por ndërhyrja e plotë ende nuk ka nisur.
