Kriza energjetike dhe rritja e çmimit të rrymës ishin temat me të cilat nisën pyetjet e deputetëve në seancën e sotme kuvendore. Kryetari i LSDM-së, deputeti Venko Filipçe, pyeti kryeministrin se pse edhe pas thuajse dy vite qeverisje, nuk bënë asgjë për ta përforcuar sektorin energjetik për prodhimin e rrymës, pse nuk prodhohet me kapacitetet maksimal, si pasojë e së cilës tani importojmë rrymë të shtrenjtë dhe shpallim gjendje krize.

“Pse tani patjetër të ketë shtrenjtim të rrymës për qytetarët, e cila do të tërheqë edhe shtrenjtime të tjera, rritje të çmimeve, që kemi parë se këtë periudhë nuk keni bërë asgjë për t’i kontrolluar?!”, tha Venko Filipçe, deputet i LSDM .

“Kësaj pyetjeje z.Filipçe më së miri do t’iu përgjigjej anëtari i ri i Komitetit tuaj Ekzekutiv, z.Bislimovski, vëlla i kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjetikës Marko Bislimovski. KRrE, me ligj, me Kushtetutë, është trup i pavarur  – nuk e di pse mua ma parashtroni këtë pyetje. E tash rreth kapaciteteve energjetike. Në një vit e gjysmë më tepër se 50 njerëz që e kanë shkatërruar atë që e kishte lënë qeveria paraprake e VMRO-DPMNE-së, kur unë kam qenë drejtor e ELEM, janë ose nën hetim ose në procese gjyqësore. Ndërsa drejtori i dikurshëm, funksionar i lartë i LSDM-së, është në arrati”, shtoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

“Nëse në periudhën tonë të qeverisjes, në krizë të madhe, kur çmimi i rrymës ishte 5 ose 6  herë më e lartë, kishte sukses që të kontrollohet, në vend që tani të zbresë, nëse paskeni pasur kaq kapacitet ta menaxhoni sistemin, është dashur ta bëni këtë këto vitet e fundit, që tani qytetarët të mos kenë harxhim shtesë në faturat e rrymës. Nuk ka justifikime, nuk e di si nuk e kuptoni!  Kjo qasje, këto spine – ama ju jeni fajtor, nuk kalojnë! Nëse ka kriminelë do të përgjigjen, ju duhet t’i rrekeni punës”, pohoi tha Venko Filipçe, deputet i LSDM.

Shqetësimin për shtrenjtimin e rrymës dhe shpalljen e gjendjes së krizës për mazut e ngriti edhe deputetja e Frontit Europian Rina Ajdari, duke pyetur ministren e Energjetikës se çfarë kanë bërë gjithë verës që të mos vinte puna deri në këtë pikë.

“Situata po tregon se gjatë verës shteti nuk ka bërë përgatitje dhe nuk ka parashikuar aspak se do të vijë një ditë ku qytetarët dhe shteti do të ballafaqohen me krizë të tillë. Pse të gjendemi në situatë të tillë kur mazuti për të cilin diskutoni dhe e keni bërë temë diskutimi në opinion, keni mundur ta siguroni me kohë dhe të përgatiteni siç i ka hije një shteti të mirëfilltë”, u shpreh Rina Ajdari, deputete e BDI / FE.

“Pyetët se çfarë kemi bërë verës. Askush nuk ka parashikuar se bujqit në Greqi do të protestojnë me ditë pikërisht tani. Përndryshe SHA EMV, që është në Qeverinë, pra Ministria nuk ka kompetenca, i ka zbatuar procedurat tenderuese, megjithatë si përgjegjës ne shpallim krizë 7-ditore që do me thënë se si Qeveri e përgjegjshme pa kompensim do të japim rezervat e mazutit”, dekalroi Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.

Kundërpërgjigjen që Bozhinovska e mori nga Ajdari për këtë është se është skandaloze që qytetarëve t’u thuhet që kriza vjen nga pamundësia për të siguruar mazut, kur kjo qeveri krijoi Ministri të veçantë për Energjetikën që s’ka arritur të krijojë plan për përballje.