Kombëtarja e vajzave luajti mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” përballë Çekisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2027. Kuqezezat u mposhtën me rezultatin 1-5 në një sfidë ku për disa momente treguan reagim dhe lojë të mirë.

Trajneri Armir Grima e nisi takimin me këtë formacion: Antigoni Hyska (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Fortesa Berisha, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarka, Mikaela Metalla, Qendresa Krasniqi dhe kapitenia Megi Doçi.

Minutat e para të takimit ishin të balancuara, me të dyja skuadrat që luftuan për kontrollin e lojës dhe u përpoqën të afrohen te portat respektive.

Çekia kaloi në avantazh në minutën e 14-të, pas një gabimi në prapavijën e skuadrës sonë. Megjithatë, reagimi i kuqezezave ishte i menjëhershëm. Vetëm tre minuta më vonë, Fortesa Berisha realizoi një eurogol të bukur nga distanca, duke barazuar shifrat dhe duke gjetur të papërgatitur portieren kundërshtare.

Pas golit të barazimit, Shqipëria pati edhe disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por pa arritur të finalizojë.

Në minutën e 37-të, Çekia gjeti sërish golin me Kirovën, e cila realizoi nga jashtë zone, duke rikthyer avantazhin për skuadrën mike. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2.

Në fraksionin e dytë të lojës, skuadra jonë hasi më shumë vështirësi përballë presionit të kundërshtareve, me Çekinë që arriti të shënojë edhe tre gola të tjerë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-5.

Pas dy ndeshjeve të para në grupin B1, Shqipëria renditet në vendin e tretë dhe do të rikthehet në fushë në muajin prill për dy përballjet ndaj Uellsit.

The post Kualifikueset për Kupën e Botës 2027 për femra: Shqipëria e pëson keq në ndeshjen e dytë, turpërohet nga Rep. Çeke appeared first on Telesport.