Gazetar: Avni Tahiri
Kultivuesit e duhanit nga rajoni i Studeniçanit shprehen të zhgënjyer pasi po hasin vështirësi në plasmanin e prodhimit. Thonë se kompanitë grumbulluese kanë selektuar duhanin duke i mbetur disa tonë të pa shitura. Kërkojnë ndihmën e shtetit.
“Nuk e marrin jo. – Sa duhan kthen? – 16 kutia. – po tani çfarë do i besh? – do e dërgoj në Shtëpi edhe më nuk punojmë vitin tjetër, tha një kultivues i duhanit.
Kultivuesit e duhanit nga Studeniçani, ankohen se këtë vit po përballën me vështirësi në plasmanin e prodhimit.
“Ky duhan thuan që nuk është i thatë mirë por ky duhan është i thatë por se ka disa pika nuk e duan, është duhan i vonshëm e ky më nuk thahet më mirë, vjet edhe parvjet këtë lloj duhani as nuk e kanë kontrolluar e këtë vit e kthejnë”, deklaroi Esat Shabani – Kultivues i duhanit.
Esat Shabani është një nga shumë kultivues të duhanit në këtë fshat. Ai thotë se këtë vit ka kultivuar rreth nëntë ton duhan por sipas tij, kompanitë grumbulluese kanë pranuar vetëm duhanin e klasit të parë ndërsa sasitë tjera më pak cilësore u kanë mbetur në shtëpi.
”Deri tani ishim shumë mirë por tani në fund na lanë kush si të gjendët në shitjen e duhanit. Kompanitë e grumbullimit marrin më të mirin ndërsa atë më pak cilësorë nuk e duan. Këtu ishin tre kompani dhe tani është vetëm një që grumbullon. Dy tjerat u mbyllen ndërsa kjo kompani e merr atë që i konvenon kompanisë ndërsa tjetrin na e kthen prapë. Duhanin e mirë e marrin ndërsa tjetrin thuan lëreni në shtëpi të thahet por për shkurtë kohë edhe këto do të shkojnë edhe këto e do të mbetemi për askund”, tha Esat Shabani, kultivues i duhanit.
Kultivuesit kërkojnë reagimin e institucioneve dhe zgjidhje urgjente të situatës së krijuar në pikat e grumbullimit të duhanit.
“Të behej me kategori do të duhej që duhani më cilësor të ishte 600 denarë, dhe pastaj tjerat të ishin 400 e 300 denarë siç është por këto e bënë vetëm një kategori 420 denarë dhe pjesën tjetër nuk e marrin aspak, dhe problemi është se ne kemi duhan të mbetur në shtëpi dhe nuk dimë çfarë të bëjmë me atë. Për vitin e ardhshëm nuk kemi më shpresa që të punojmë këtë punë, kjo është kërkesa jonë”, u shpreh Muhamed Vejseli, kultivues i duhanit.
Për situatën e krijuar në pikat e grumbullimit të duhanit në Studenican, kërkuam sqarim nga Ministria e Bujqësisë dhe se a janë të informuar për ankesat e kultivuesve dhe se çfarë masash do të ndërmerren për mbrojtjen e bujqve, por deri tani nuk kemi përgjigje.
Sipas banorëve të Studenicanit, vetëm këtë vit, nga ky rajon, pritet të grumbullohen rreth 600 ton duhan cilësor, por sipas tyre, nëse nuk ka zgjidhje të situatës së krijuar atëherë shumica do të detyrohen që të heqin dorë nga kultivimi i kësaj kulture bujqësore. /Alsat.mk
The post Kultivuesit e duhanit të zhgënjyer me plasmanin e prodhimit, kërkojnë ndihmën e shtetit appeared first on Alsat.
