Tragjedia në Zvicër në natën e Vitit të Ri në Crans Montana e riktheu memorien e opinionin publik të Maqedonisë së Veriut te ngjarjet e 16 marsit të vitit 2025 në tragjedinë në Koçan.
Për autoritetet në Maqedoni, tragjedia në Zvicër jep hapësirë për të interpretuar se tragjedi të tilla ndodhin edhe në një vend të zhvilluar si Zvicra, por hetimi që do të zhvillohet atje do të “mbikëqyrë” drejtësinë për Koçanin, drejtësi të cilën familjet e 63 të rinjve po e presin edhe pas nëntë muajsh.
Po për dallim aktakuza në Maqedoninë e Veriut, e cila ka përfshirë një rreth shumë të gjerë, duke u futur në një labirint, në Zvicër hetimi fokusohet në një rreth më të ngushtë të të dyshuarve.
Pronarët e barit ‘Le Constellation’, bashkëshortët Zhak dhe Xhesika Moreti, ende nuk janë arrestuar, por tre ditë pas tragjedisë Prokuroria në kantonin Valais, njoftoi se ata dyshohen për vrasje nga pakujdesia, lëndim trupor nga pakujdesia dhe shkaktim të zjarrit nga pakujdesia.
“Konfirmoj se është hapur një hetim penal ndaj të dy menaxherëve. Ky hetim penal do të mundësojë, në bashkëpunim me të gjitha palët e përfshira, të identifikohen dhe shqyrtohen të gjitha gjurmët. Siç kam theksuar vazhdimisht, asnjë gjurmë apo dyshim nuk do të neglizhohet. Të gjitha mundësitë po shqyrtohen, dhe me hapjen e hetimit, do të na mundësojë të vazhdojmë të veprojmë sipas ligjit për procedurë penale”, tha Beatrice Pilou, prokurorja e Kantonit Valais.
Që këtu shihet dallimi midis dy hetimeve. Organet hetimore zvicerane shkojnë drejt një rrethi më të ngushtë përgjegjësie dhe vrasjeje nga pakujdesia, ndërsa në Maqedoni u përfshinë në akuzë zyrtarë nga 12 vjet më parë edhe atë për ‘krime të rënda kundër sigurisë publike’.
Për avokatin Janaki Mitrovski është joadekuate të bëhen krahasime, pasi bëhet fjalë për një vend tjetër me ligjet e veta, por ai përsërit se aktakuza e ngritur për Koçanin është e pabazuar. Sipas tij, prokuroria jonë është e vetëdijshme se veprat penale ndaj funksionarëve janë të vjetruara dhe aktakuza është e paqëndrueshme, po e bart përgjegjësinë te gjykata vetëm për të qetësuar opinionin publik.
“Të gjithë e dimë se ky kualifikim që është dhënë, është bërë nën presion të opinionit publik, që padyshim është e gabuar. Të gjithë jemi dëshmitarë se sipas informacionit të kufizuar që kemi nga mediat, atje dyshohen pronarët e barit, pra shkon drejt një rrethi shumë më të ngushtë, për dallim nga tek ne ku është shkuar shumë gjerë, gjë që e komplikon situatën duke e bërë më të vështirë, sepse një pjesë e madhe ndiqen për bashkëkryerje. (Burimi: Slloboden Peçat)”, shtoi Janaki Mitrovski, avokat.
Edhe profesori universitar, Sejfulla Osmani thekson se sistemi ynë juridik shpesh e kërkon fajtorin sipas interesave, ndryshe nga praktika evropiane bashkëkohore, si ajo zvicerane, ku fajtorët kërkohen aty ku veprimet kanë ndodhur. Shton se në rastin e tragjedisë në Koçan, më shumë u bë gjueti shtrigash sesa hetim, gjersa shpreson që Maqedonia të merr shembull nga mënyra e hetimit në Zvicër.
“Ne e kërkuam fajin aty ku deshëm, duke gjuajtur shtriga. Duke kërkuar fajtorin te ministrat, te njerëz që kanë pasur kompetenca shumë më herët, kurse ata e kërkojnë tek inspektorati, te menaxherët udhëheqës të korporatës, te faktorët e drejtpërdrejtë për inicimin e zjarrit. Do me thënë kështu duhej bërë edhe në rastin tonë, dhe unë uroj që edhe në rastin e Koçanit vazhdimësia e hetimit dhe kërkimit të përgjegjësit të shkojnë në këtë drejtim”, u shpreh Sejfulla Osmani, Profesor Universitar – Jurist.
Të dy zjarret shpërthyen nga fishekzjarrët dhe pothuajse në mënyrë identike. Të dy objektet kishin materiale lehtësisht të ndezshme, gjë që çoi në përhapje të shpejtë të flakëve. Ndryshe nga rasti në Koçan, ku fokusi ishte tek fakti që diskoteka nuk kishte leje, procedura në Zvicër është më shumë e orientuar drejt përgjegjësisë së rreptë për pakujdesi në një objekt që formalisht kishte leje për funksionim, por nuk i respektoi protokollet e sigurisë gjatë festës. Autoritetet zvicerane po hetojnë nëse përdorimi i fishekzjarrëve ishte në përputhje me rregulloret e brendshme të objektit dhe ligjet zvicerane; po ekzaminohet shtresa e shkumës izoluese në tavan, po kontrollohet nëse në bar kishte më shumë mysafirë se sa lejohej dhe nëse daljet emergjente ishin të qasshme në momentin e aksidentit.
