Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se me të patën një takim konstruktiv.

“Me Abdixhikun ishin në takim afër 2 orë me këtë rast diskutuam për situatën e re politike, pas aktgjykimit të Gjykatës KushtetueseÇështja kryesore që u diskutua ishte fakti që na kanë ngelur edhe tri javë deri tek zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimalizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Është vështirë ta paramendojmë një fushatë zgjedhore me po të njëjtat zotime, për një rezultat që e dijmë që nuk mund të jetë shumë ndryshe. Numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë nuk e kemi sfidë, por është sfidë tejet gjigande që një parti t’i ketë 80 deputetë dhe ta zgjedhë vetë presidentin”, tha Kurti para mediave.

Kurti tha se është optimist për çështjen zgjedhjes së presdientit.

“Ndodhemi aty ku ndodhemi. Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund të them që e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje, në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit”, ka deklaruar Kurti, duke paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë më të madhe opozitare në vend.

Edhe Abdixhiku ka thënë se palët po përpiqen të arrijnë deri te një zgjidhje.

“Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët, konsensuale, me takime. Kjo është rruga që duhet ndjekur përpara. Do ta ndjekim këtë rrugë sa herë që mundemi për t’i shmangur zgjedhjet”, shtoi ai.

I pyetur nëse LDK-ja pati emra konkretë për pozitën e presidentit, ai tha se palët “nuk kanë arritur ende në atë fazë”.

“Në proces janë dy emra, kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-ja e ka pozicionin e vet të qartë se jo të gjitha pozitat shtetërore mund t’i takojnë një partie politike, ky është pozicioni ynë”, tha Abdixhiku.