Kurti pas humbjes nga Turqia: Ishim pranë madhështisë, krenarë me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas humbjes së Kosovës ndaj Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke shprehur zhgënjimin për rezultatin, por edhe krenarinë për paraqitjen dhe rrugëtimin e kombëtares shqiptare të Kosovës.

Ai theksoi se i gjithë vendi mbetet i pikëlluar pas ndeshjes, derisa shtoi se ekziston një ndjenjë kolektive reflektimi për atë që mund të ishte bërë ndryshe. Megjithatë, Kurti vlerësoi se përfaqësuesja e Kosovës ka dhuruar emocione të jashtëzakonshme dhe ka bërë krenarë qytetarët, duke merituar mirënjohje dhe përkrahje të vazhdueshme.

“Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”. Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu”, ka shkruar Kurti në Facebook”

Kurti nënvizoi se fakti që Kosova ishte shumë pranë kualifikimit dëshmon për potencialin dhe afërsinë me arritje të mëdha në të ardhmen. Ai përfundoi duke falënderuar lojtarët, trajnerin dhe stafin për angazhimin në çdo ndeshje dhe duke bërë thirrje për unitet e mbështetje të vazhdueshme me mesazhin:

“Forca Kosovë!. Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi. Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje”, përfundoi ai.