Mbrëmë në Prishtinë u shfaq premiera e filmit “Era” nga Parta Kelmendi. Mes shumë figurave publike, prezent ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kreu i ekzekutivit kosovar e cilësoi filmin si diçka që pasqyron të vërtetën për fundin e viteve 80-ta dhe fillimin e viteve 90-ta, respektivisht, siç shkruan Kurti, instalimin e apartheidit të Serbisë.
Shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti:
“Era” e Parta Kelmendit është film artistik që ngjan më i vërtetë se një film dokumentar, duke prekur thellë me heshtje shtypëse, me kujtimet që na i ndez nga zërat e mbetur pezull në vorbullën e viteve ’90.
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, në vendin tonë u instalua apartheidi i Serbisë, dhe nisën përjashtimet e shqiptarëve nga puna, shkollat e spitalet, si dhe emigrimi masiv i detyruar i tyre.
Përmes syve të Era Gashit (me aktrim brilant të Zana Berishës) si dhe me shikimin tonë mbi të, filmi na sjell diskriminimin e egër të atyre viteve që i paraprinë si gjenocidit serb ashtu edhe luftës sonë çlirimtare. Nëpërmjet ankthit e fatit familjar e individual, shpalosen bukur dy lloje të guximit: për t’u larguar nga familja dhe për të qëndruar në Kosovë. Fjalia “Kjo është mbijetesë, Shpresë.” e përmbledh ndoshta në mënyrën më të ndjerë thelbin e filmit.
Mbrëmë, në Cineplexx AlbiMall, këto ndjesi u përjetuan fuqishëm nga aktorët, profesionistët e filmit dhe dashamirësit e kinemasë. Filmi “Era” na e përkujton se edhe para luftës nuk kishim paqe, se paralufta nuk ka më pak ndikim në formësimin tonë kolektiv sesa vetë lufta.
Pas suksesit në Brooklyn Film Festival dhe çmimit për Aktoren më të Mirë për Zana Berishën, “Era” vazhdon rrugëtimin e saj ndërkombëtar. E ftoj publikun tonë që ta shohë këtë film në kinematë në mbarë Kosovën ku do të shfaqet: sonte dhe çdo natë në Prishtinë si dhe premiera në Prizren.
Urime regjisores e skenaristes Parta Kelmendi, Zana Berishës e gjithë ansamblit të aktorëve si dhe ekipit të filmit për këtë arritje të rëndësishme artistike e cila i jep frymë të re kinemasë sonë.