Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim bilateral me homologun e Luksemburgut, Luc Frieden, në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian. Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Luksemburgun për mbështetjen e fundit prej 50 milionë eurove, e destinuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të këtij shteti, duke veçuar kontributin në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit.
Në fokus të bisedës ishin edhe zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian. Kurti theksoi rëndësinë e avancimit në këtë proces, përfshirë kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
