Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se veriu i Kosovës si një nga lokacionet që ishte më proruse, tashmë është stabilizuar.

“Progresi përgjatë viteve në raport me zvogëlimin e ndikimit të Serbisë, përmirësimi i situatës së sigurisë në katër komunat në veri, garantimi i lëvizjes së lirë, operimit të bizneseve, fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit atje, kanë ndikuar në një ambient me të sigurt, jo vetëm në katër komunat veriore, por edhe në vendbanimet tjera me shumicë serbe. Veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm. Stabilizimi i situatës në këtë pjesë, ka ndikuar pozitivisht përveç sigurisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës edhe në atë rajonale”, shkroi ai në Facebook.

Kurti shtoi se, zhvillim kryesor ka pasur në reduktim të kapaciteteve destabilizuese të Serbisë në Kosovë, përmirësim të situatës së sigurisë, largim të barrikadave dhe pamundësim të rivendosjes së tyre, luftim të grupeve kriminale dhe terroriste, etj.

Sipas tij Serbia ka humbur forcën destabilizuese që ka pasur më parë, përkatësisht nuk ka më mekanizma të fortë kërcënues brenda Kosovës.

“Të tillët kanë mbetur përgjatë kufirit (Forcat e Armatosura të Serbisë dhe Policia), e sporadikisht, në pika afër kufirit, janë të pranishëm edhe pjesëtarë të organizatave terroriste e grupeve kriminale. Serbia vazhdon të paraqes kërcënim të lartë për Kosovën si shtet armiqësor që shfrytëzon mekanizmat e sigurisë, grupet terroriste dhe kriminale, dezinformacionin dhe fushatat propaganduese, kërcënimet tjera hibride, për të cenuar sigurinë dhe interesat e Kosovës”, shkroi ai.