Gjykata Kushtetuese do të vendosë në ndonjë seancë të ardhshme nëse do të niset procedurë sipas iniciativës së paraqitur nga Levica, e cila ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Kodit Zgjedhor në lidhje me reklamimin e paguar politik. Kjo ndodhi pasi gjykatësit nuk arritën të siguronin shumicën e paktën pesë votave, gjë që do të thotë se çështja mbetet e hapur. Në debat, gjykatësi raportues Osman Kadriu tha se procedura duhet të niset sepse konsideron se ligji bën diskriminim.
“Partive të vogla politike u pengohet në mënyrë diskriminuese parimi i drejtë në fushatën zgjedhore për të gjitha llojet e zgjedhjeve që kemi. Rregullorja është e dëmshme, antikushtetuese dhe dukshëm joproporcionale në raport me mundësitë, të drejtat dhe detyrimet e të gjithë aktorëve dhe subjekteve politike që garojnë”, tha Osman Kadriu
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski thotë se nuk ka logjikë që qytetarët t’i paguajnë politikanët 4 herë nga Buxheti.
“Me paratë tona paguhet fushata politike e partive politike. Mos harroni se ekziston Ligji për financimin e partive politike — pra dy herë. Përfundon procesi zgjedhor, sipas numrit të votave të fituara, sërish me paratë tona — pra dy herë. Politika zë vende të ndryshme, qoftë në pushtet qoftë në opozitë, marrin rrogë — sërish para buxhetore. Dhe në fund, edhe një absurd tjetër për të cilin gjykata është shprehur dhe ku unë kam mendim të ndryshëm — përfundon mandati i politikanit: pension. Katër herë. Katër herë qytetarët i paguajnë politikanët”, tha Darko Kostadinovski.
Gjykatësja Tatjana Vasiq Bojaxhieva shtroi dilemë nëse duhet fare të niset procedurë për një iniciativë për të cilën gjykata tashmë është shprehur.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se me nisjen e procedurës, de facto do të bëjmë në njëfarë mënyre ndalim të çfarëdo reklamimi politik të paguar, duke pasur parasysh se në kushtet kur vështirë arrihet konsensus. Kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur për të njëjtat nene të kontestuara dhe vendimi tashmë është marrë — të mos niset procedurë me të cilën do të rishqyrtohej çështja. Kështu që asnjë dyshim nuk është shprehur”, deklaroi Tatjana Vasiq Bojaxhieva.
Deputeti nga radhët e Levicës Amar Mecinoviq, derisa po zhvillohej seanca, para Gjykatës Kushtetuese theksoi se është e nevojshme të arrihet barazi e plotë gjatë zgjedhjeve.
“Rreziku më i madh është që Gjykata Kushtetuese të na konfirmojë se mund të kemi kushte të pabarabarta për paraqitje në zgjedhje. Sot Gjykata Kushtetuese mund ta shkelë parimin e barazisë së subjekteve politike dhe ta shkelë parimin e pluralizmit në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Amar Mecinoviq
Financimi i partive politike është pjesë e kërkesës së Levicës në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
