Gazetar: Miki Trajkovski
Maqedonia dhe Bullgaria duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët sa më shpejt, në mënyrë që të zhbllokojnë urgjentisht procesin e integrimit të vendit në BE, vlerësojnë profesorët e të dy vendeve. Ata shpresojnë se administrata e re në Bullgari do të zhbllokojë rrugën evropianë të Maqedonisë.
“Ndoshta duhet të ketë fleksibilitet si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e BE-së, veçanërisht nga Bullgaria, për të patur disa garanci minimale me qëllim që të bëhen ndryshime në kushtetutë. Mendoj se duhet të gjejmë një mënyrë për të zgjatur dorën dhe mendoj se është një problem i zgjidhshëm, nuk është i pazgjidhshëm, por kërkon durim dhe vullnet të duhur.” – Risto Reçkoski – Profesor universitar.
Lidhur me kërkesat për ndryshime kushtetuese me garanci se nuk do të ketë bllokada të mëtejshme, ekspertët nuk janë shumë optimistë se kjo do të ndodhë.
“Nëse kjo do të realizohet nuk jam shumë optimist, duke pasur parasysh se kjo situatë rreth ndryshimeve kushtetuese ka vazhduar për një kohë të gjatë, dhe nuk ka sinjale të qarta se ky qëndrim i BE-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese do të ndryshonte. Do të jetë e rëndësishme të shohim nëse përfundimisht do të kemi mundësinë të përafrojmë pozicionet dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët kompromisi” – Dejan Mickoviq – Profesor në Fakultetin Juridik Shkup.
Profesorët bullgarë shpresojnë se qeveria e re bullgare do të hapë rrugën dhe njerëzit e thjeshtë nuk duhet të mbahen peng nga politika.
“Unë sinqerisht shpresoj se qeveria e re në Bullgari do të heqë ato ” vija të kuqe ” që nuk duhet t’i ndajnë njerëzit. Shpresoj, sinqerisht shpresoj që kjo politikë të ndryshojë. Kam shpresë se do të ketë ndryshime. Shpresa për të ndryshuar marrëdhëniet që krijojnë politikanët është shumë e lartë,” deklaroi Kremena Rajanova – Profesore në Fakultetin Juridik në Ruse-Bullgari.
Ministri i Jashtëm Timço Mucunski, një ditë më parë tha se Maqedonia nuk është gati për ndryshime kushtetuese për shkak të mungesës së besimit. /Alsat.mk
The post Kushtetuta, Shkupi dhe Sofja të gjejnë zgjidhje appeared first on Alsat.
