Paralajmërimet e zv/kryeministrit të parë për punësime ishte pyetja e deputetes Rina Ajdari nga FE, e cila në mungesë të Mexhitit, përgjigjen e kërkoi nga kryeministri Mickoski. Ajo vlerësoi se kjo deklaratë e tij është vetëm marketing politik, për shkak se nga Ministria e financave nuk ka konfirmim për punësime të reja.

“Administrata publike është një administratë shtetërore apo një teatër ku secili aktor shpik rolin e tij? Po t’i besojmë zotit Mexhiti, e përsëris, do të ketë mijëra vende pune për shqiptarët dhe ato janë në zhvillim të sipër. Po të dëgjojmë ministrat e tjerë përgjegjës për punësimin, fjalët e zëvendëskryeministrit duket se janë thjesht një mashtrim për pikë politike”, deklaroi deputetja e BDI/FE, Rina Ajdari.

Në përgjigjen e tij kryeministri Mickoski, kujtoi Artan Grubin.

“Askush nuk do të vijë për 25 mijë denarë. A e dini pse? Për shkak se një tjetër refugjat që është në listën e zezë mendoi se ky vend ishte pronë e tij, ai luajti futboll, më pas punoi pak në Lotari, pastaj mori me qira lokale për pak kohë, duke paguar dhjetë herë më shumë se çmimi i tregut. Dhe kështu buxheti i shtetit u zbraz dhe u thith dhe tani nuk mund të përballojë rroga më të larta dhe të ardhura më të larta”, potencoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Ajdari pyeti edhe për punësimet e paralajmëruara në shëndetësi të cilat po ashtu i quajti manipulim dhe se shqiptarët largohen nga pozita udhëheqëse. Edhe Taravari mungoi në seancë, por zëvendësi i tij tha se punësimet e paralajmëruara nga ministri do të ndodhin dhe se do të jenë në bazë të profesionalizmit.