Gazetar: Suad Bajrami
Derisa pushteti dhe opozita maqedonase debatojnë për ndryshimet e Kodit Penal, shumica e deputetëve të partive shqiptare nuk dorëzuan amendamente. Në seancën e sotme të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve u shqyrtuan 13 amendamentet e dorëzuara nga opozita maqedonase.
Anëtarë shqiptarë të këtij Komisioni janë 6 deputetë shqiptarë edhe atë Bekim Qoku dhe Merita Koxhaxhiku nga VLEN, ndërsa nga radhët e opozitës Sadulla Duraki, Elmi Aziri, Musa Xhaferi e Blerim Bexheti.
Prej tyre, vetëm Bekim Qoku ishte prezent në seancë, i cili më pas u largua dhe në vend të tij erdhi Merita Koxhaxhiku. Të tjerët, fare nuk u paraqitën. Alsat kontaktoi koordinatoren e Frontit Evropian, Rina Ajdari, por edhe deputetin Elmi Azirin nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës.
Arsyetimi i tyre për mosdorëzimin e amendamenteve lidhur me ndryshimet e Kodit Penal është se kanë praktikë të hidhur pasi shumica parlamentare nuk ua pranon amendamentet. Megjithatë, ata ndajnë qëndrimin se nuk pajtohen me këto ndryshime.
Ndërkohë, debati mes pushtetit dhe opozitës maqedonase kryesisht u zhvillua për amendamentet që kanë të bëjnë me nenet kontestuese për shpërdorimin e detyrës dhe autoritetit zyrtar. LSDM, çuditërisht kërkoi që të rikthehen nenet e vjetra që në mënyrë skandaloze i shfuqizoi në vitin 2023 së bashku me BDI-në.
“Ne me këtë amendament e kthejmë zgjidhjen prej para shtatorit të vitit 2023. E dëgjuam opinionin e ekspertëve, e patë se para se gjithash kishte dyshim të qartë në nenin 5 ku kthehen furnizimet publike, por jo edhe financat tjera siç janë buxheti dhe mjetet financiare dhe evropian dhe për atë vlerësoj se për këtë moment është korrekte ta kthejmë zgjidhjen e vjetër”, tha Sonja Mirakovska, Deputete e LSDM-së.
Nga ana tjetër, deputetja Monika Zajkova kërkoi që të mos kufizohet neni për shpërdorim me paratë publike.
“Në pjesën e furnizimeve publike, të gjithë ekspertët ju thonë se e kufizoni nenin dhe se dekriminalizoni sjellje të caktuara, pra nuk janë këto dy sjellje që janë të përfshira në nen për ato ndëshkohet lidhur me furnizimet publike. Ku është favorizimi i tenderëve, ku është kurdisja e specifikimeve teknike, zgjedhja e ofertuesit, ku janë fondet publike dhe mjetet tjera të shtetit”, u shpreh Monika Zajkova, Deputete e PLD-së.
Shumica parlamentare 12 nga 13 amendamente i hodhi poshtë, ndërsa kritikat e opozitës deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski i cilësoi si nevojë për teatër.
“E kuptoj nevojën për të bërë teatër. E kam shumë të qartë. Tani hajde të bëjmë, kur vetëm se jemi duke bërë, të bëjmë diçka, po ju dëshironi diçka të fshihni… Dhe e gjithë ajo kur flitet sidomos nga ata që janë nënshkruar nga amendamenti, mendoj se janë 7. Prej tyre, 3 kanë marrë pjesë dhe kanë votuar “për” në seancë qeveritare që të miratohet ai ligj në vitin 2023, ndërsa të gjithë të tjerët kanë marrë pjesë duke votuar ose duke qenë prezent në sallë”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Mes debatit LSDM-VMRO, E Majta shprehet që edhe këto ndryshime nuk do të sjellin përgjegjësi.
“Absolutisht nuk besoj në qëllimin e pushtetit se do të ketë përgjegjësi, pasi 35 vite shohim se si funksionarët e lartë i shpenzojnë milionat, nëse në Budapest, Monako apo Dubai, derisa këtu shohim teatër se sa jeni të gjithë të tronditur me ndryshimet e atyre neneve, kush ka bërë kuorum, kush nuk ka bërë kuorum”, u shpreh Jovana Mojsovska, Deputete e partisë E Majtës./ Alsat.mk
The post Kuvend/ Partitë maqedonase përplasen për ndryshimet e kodit penal, ato shqiptare asnjë amendament appeared first on Alsat.
