Me 61 vota “për”, asnjë kundër ose abstenim, Kuvendi mbrëmë miratoi Ligjin për Shkollën e Mesme Policore.

Shkolla e Mesme Policore do të fillojë të funksionojë nga 13 maji 2026, brenda Qendrës aktuale për Trajnim në Idrizovë, sipas Ligjit të ri për Punët e Brendshme, Akademia Policore. Ajo do të funksionojë sipas planeve dhe programeve mësimore të miratuara nga ministri i Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me ministrin e Punëve të Brendshme.

Shkolla do të zgjasë dy vite mësimore, që korrespondojnë me vitin e tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, duke i mundësuar çdo kandidati që pas dy viteve të para të shkollës së mesme të aplikojë dhe të vazhdojë arsimin në Shkollën e Mesme Policore, nëse plotëson kushtet e parashikuara.

Gjenerata e fundit (24-ta) e Shkollës së Mesme Policore ka mbaruar në vitin 2000, dhe me miratimin e këtij ligji do të fillojë gjenerata e 25-të e nxënësve.

Në shkollën e mesme policore mund të regjistrohen nxënës të rregullt që kanë përfunduar vitin e dytë të shkollës së mesme në shkollat e mesme të vendit. Sipas ligjit, ata duhet të jenë shtetas të Maqedonisë, të mos jenë mbi 18 vjeç në ditën e publikimit të thirrjes për pranimin e nxënësve, të flasin në mënyrë aktive gjuhën maqedonase, të jenë shëndetshëm dhe psikofizikisht të aftë, dhe do t’u nënshtrohen verifikimit të sigurisë për të konstatuar mungesën e rrezikut për sigurinë. Për regjistrimin e nxënësve kërkohet pëlqimi me shkrim i prindit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor.

Deputetët mbështetën gjithashtu Ligjin për sigurinë në trafikun rrugor dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale, të dy me procedurë të shkurtuar.

Parlamenti e ka përcjellë për lexim të dytë të mëtejshëm Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Kontrollin Kufitar.

Nënkryetarja e Parlamentit, Vesna Bendevska, njoftoi se propozuesit e autorizuar kanë tërhequr materialet për Projektvendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit, duke ndjekur një procedurë të shkurtuar.

The post Kuvendi miratoi Ligjin për Shkollën e Mesme të Policisë appeared first on Alsat.