Qazim Laçi e nisi me një fitore aventurën e tij si titullar në ndeshjet zyrtare të Shqipërisë nën drejtimin e trajnerit Maran. Mesfushori kuqezi analizoi përshtatjen me skemën e re, përmirësimin e skuadrës në aspektin taktik dhe potencialin ofensiv të grupit, ndërsa nuk mungoi as humori kur u pyet për rastin e shpërdoruar në fund të ndeshjes ndaj Finlandës:

“Patjetër që skema e re nuk është e thjeshtë. Duhet të komunikosh shumë për të qenë në pozicionin e duhur. Edhe në aspektin mbrojtës duhet të jesh mirë. Po punojmë, kjo është ndeshja ime e parë zyrtare me trajnerin Maran. Besoj se kemi bërë mjaft mirë. Pas minutës së 20-25-të humbëm pak ekuilibrin, do të thoja, në anën e majtë. Folëm gjatë pushimit dhe në pjesën e dytë gjetëm zgjidhjen për të mbuluar hapësirën e lënë bosh.

E bëmë mjaft mirë dhe kjo u duk edhe në fushë. Në ndeshjet e qershorit nuk ishim mirë për shkak të mërzitjes nga eliminimi në kualifikueset e Botërorit. Nuk ishim gati për të luajtur ato ndeshje. Kjo është e vërteta. Besoj se kemi punuar shumë me trajnerin Maran për të shfrytëzuar aksionet në aspektin ofensiv. Në anën mbrojtëse ishim në një nivel shumë të mirë.

Me cilësitë që kemi përpara, me çdo lojtar që kemi në mesfushë dhe në sulm, e kemi treguar në fushë se kemi potencial për të shënuar dhe e bëmë mjaft mirë. Shumë lojtarë kanë ende cilësi për të treguar më shumë në fushë. Ndeshje pas ndeshjeje do të bëjmë më mirë.

Për rastin e humbur në fund? Daku e ka fajin, sigurisht (qesh). Hajde, gjeje pse nuk shënova vetë… Në atë moment, të them të drejtën, do të ishte më mirë t’ia pasoja topin Dakut. Tani, kur e shikoj, mund ta kisha finalizuar edhe vetë aksionin.

Nuk e prisja as unë pasimin e Hysajt, ai nuk i bën këto gjëra. Sot kishim një komunikim shumë të mirë me Hysajn. Kur shkova në të djathtë, kuptoheshim kur duhej të hapesha dhe kur të shfrytëzoja hapësirën. Kishim një komunikim shumë të mirë dhe kjo u tregua në fushë. Shpresoj ta shënoj golin të dielën”.

The post Laçi: Kemi punuar shumë me Maran, ndeshje pas ndeshje do të bëhemi më mirë appeared first on Telesport.