Lando Norris me McLaren fitoi garën e Çmimit të Madh të Meksikës në Formula 1, një fitore me vlerë të dyfishtë për pilotin britanik, që rikthehet në krye të renditjes botërore për pilotë. Norris tashmë ndodhet 1 pikë para shokut të tij të skuadrës Oscar Piastri.
Në vendin e dytë u rendit makina Ferrari e Charles Leclerc, që la pas Max Verstappen me Red Bull. Të dy pilotët po bënin një duel të fortë për vendin e dytë, por hyrja e “makinës virtuale të sigurisë” në xhiron e fundit ndihmoi monegaskun të ruante pozicionin.
Ai që befasoi në këtë garë është Oliver Bearman me Haas, që u rendit i katërti, pas një garë të shkëlqyer. Ai la pas australianin Oscar Piastri me McLaren, që gjithashtu u penalizua nga “makina virtuale e sigurisë”, kur po duelonin në xhirot e fundit.
Në vendet 6-7 u renditën dy makinat Mercedes, me Kimi Antonelli që la pas George Russell, që nuk ishin në gjendje të duelonin për podiumin. Vetëm i teti Lewis Hamilton me Ferrari, që u penalizua me 10 sekonda nga komisarët e garës teksa ishte i treti.
Për sa i përket garës, ajo u dominua nga Norris, që e mbylli me një diferencë të madhe ndaj rivalëve. Gjithsesi, starti i saj dhe rrëmuja që u krijua në xhirot e para e bënë interesante atë. Edhe strategjia e ndryshme që ndoqën pilotët i dha bukuri garës deri në fund.
Sfida e fortë për podiumin e bëri interesante fundin e garës, por tashmë kemi një kryesues të ri, Lando Norris, me 1 pikë më shumë se Piastri. Edhe Verstappen është ende në garë, tashmë 36 pikë pas Norris. Në “top-10” u renditën sot edhe Ocon e Bortoleto.
The post Lando Norris triumfon në Meksikë dhe merr kreun e renditjes, Leclerc e Verstappen në podium appeared first on Telesport.

