Legjenda braziliane pritet të jetë nga minuta e parë në derbin mes Ravenna dhe Forlì, që do të luhet të dielën në kampionatin italian të Serie C.

Lajmi është konfirmuar nga trajneri i Ravenna-s, Andrea Mandorlini, i cili në konferencën për shtyp ka zbuluar se ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit do të jetë pjesë e formacionit titullar.

“Ronaldinho do të luajë që nga minuta e parë dhe më pas do të vlerësojmë së bashku se sa mund të qëndrojë në fushë. Ne do të përshtatemi me pozicionin e tij. Mund të them se do të luajë në treshen e sulmit”, deklaroi Mandorlini.

Në moshën 46-vjeçare, braziliani përgatitet kështu për një rikthim të jashtëzakonshëm në një ndeshje zyrtare, plot 11 vite pas paraqitjes së tij të fundit me fanellën e Fluminense në vitin 2015.

Ronaldinho mbërriti në Itali ditën e premte dhe do të ketë vetëm një seancë stërvitore me pjesën tjetër të skuadrës përpara derbit. Pavarësisht kësaj, trajneri Mandorlini ka vendosur t’i besojë një vend në formacionin titullar.

Ndeshja Ravenna–Forlì do të zhvillohet të dielën, më 15 nëntor, në orën 17:30, në stadiumin “Bruno Benelli”. Pritshmëritë janë të mëdha, pasi rikthimi i kampionit brazilian ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm te tifozët dhe mediat ndërkombëtare.

Për Ronaldinhon, kjo mund të jetë një nga rikthimet më të veçanta në historinë e futbollit, me mundësinë për të shënuar edhe golin e 300-të të karrierës së tij profesioniste.