Lençe Ristoska dha dorëheqjen nga funksioni i prokurores vetëm disa ditë pasi Këshilli i Prokurorëve Publik nuk i dha mbështetje për ankesën e saj lidhur me sulmin ndaj integritetit të saj. Menjëherë pas kësaj, prokurori i ri i shtetit, Nenad Saveski, i hoqi kompetencat për dy rastet “Talir” që ishin në fazë përfundimtare dhe lidhen me pronën dhe financimin e VMRO-DPMNE-së. Në fjalimin e saj në rrjetet sociale, Ristoska theksoi se gjatë viteve të shkuara kishte vuajtur presione për këto raste, por nuk mund të pajtohej me vendimet e fundit.

 “Mendoj se këto vendime dobësojnë seriozisht pozicionin e prokurorisë dhe sjellin rreziqe konkrete për rezultatet e çështjeve që targetojnë korrupsionin e lartë dhe krimin. Këto procedura janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vizionin për të cilin angazhohem, që është një prokurori që vepron jashtë ndikimeve politike, mbron profesionistët e saj dhe mbështet interesin publik në mënyrë të drejtë dhe pa përzgjedhje. Pasi nuk shoh hapësirë për punë, as në të ardhmen si të mund të veproja në përputhje me parimet e mia, kam dhënë dorëheqjen nga funksioni i prokurores së shtetit”, tha Lençe Ristoska – Prokurore.

Prokurori i ri i shtetit, Nenad Saveski, pas marrjes së detyrës, ua tërhoqi autorizimet prokurorëve. Në një briefing me gazetarët, kur u pyet nëse me këtë veprim synonte t’ia hiqte rastet “Talir 1” dhe “Talir 2” Lençe Ristoskës – për të cilën pati reagime edhe nga VMRO-DPMNE – ai tha se vendimi i tij nuk është personal, por për të vendosur rend. Saveski sot tha se ka keqardhje për vendimin e Ristoskës, për të cilin u informua personalisht nga ajo përmes një mesazhi SMS.

 “Prokuroria mbetet pa një prokurore nga e cila prisja që me përvojën e saj të çmuar shumëvjeçare do të kontribuonte në forcimin e kapaciteteve të institucionit, veçanërisht me pozicionin e saj si prokurore lidhëse me Eurodrejtësi. Vendimi për të tërhequr të gjitha autorizimet e dhëna nga paraardhësit e mi nuk është personal dhe në asnjë mënyrë nuk synon punën e prokurores Ristoska”, u shpreh Nenad Saveski – prokuror i shtetit.

Ristoska ishte pjesë e Prokurorisë Speciale Publike, pastaj kaloi në Prokurorinë Themelore të Shkupit, por mbeti të udhëhiqte dy rastet “Talir”. Ajo gjithashtu aplikoi për pozicionin e Prokurores së Shtetit, por Mickoski deklaroi se e refuzon kandidaturën e saj para se ajo të shqyrtohej nga Qeveria.