Gazetare: Ajnur Bafqari

Libani është nyja kritike që po e rrezikon seriozisht armëpushimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Izraeli ka vazhduar me bombardimet e fuqishme ndaj Libanit.

Kjo çoi në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe destabilizim të ri në tregjet e naftës dhe aksioneve. Çmimet e naftës u rritën përsëri, pasi ranë ndjeshëm një ditë më parë kur SHBA-ja ra dakord të ndalonin sulmet ndaj Iranit për dy javë.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh akuzon Izraelin për një “masakër” në Liban, pasi sulmet ajrore vranë 254 persona të mërkurën dhe plagosën mbi 1 mijë të tjerë, sipas ministrisë së shëndetësisë. Zyrtari nga Teherani thotë gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet nëse SHBA-të tërheqin “agresionin” e tyre.

Irani dhe Pakistani këmbëngulin që Libani është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, por SHBA-ja dhe Izraeli pretendojnë se marrëveshja nuk e mbulon Hezbollahun në Liban.  Presidenti Trump, në rrjetin Truthsocial e bëri një paralajmërim.

“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, me municione, armë shtesë dhe çdo gjë tjetër, do të mbeten aty ku janë brenda dhe përreth Iranit, derisa MARRËVESHJA E VËRTETË do të arrihet dhe zbatohet plotësisht. Nëse për ndonjë arsye nuk zbatohet, gjë që është shumë e pamundur, atëherë fillojnë të shtënat, më të mëdha, më të mira dhe më të forta se kushdo që ka parë ndonjëherë më parë”, deklaroi Donald Trump, president i SHBA-së.

Nga ana tjetër Mbretëria e Bashkuar dëshiron rihapjen ‘thelbësore’ të Ngushticës së Hormuzit dhe vazhdimin e armëpushimit.

“Ne duam që ky armëpushim të vazhdojë. Ne nuk duam një rikthim në konflikt. Dhe, më e rëndësishmja, duam ta shohim Ngushticën e Hormuzit të rihapet sepse kjo është thelbësore për ekonominë globale dhe për përballimin e presioneve të kostos së jetesës këtu në vend”, deklaroi Yvette Cooper, Sekretare e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të shkojnë në Islamabad për bisedime që fillojnë të shtunën. Delegacioni i Teheranit do të mbërrijë në Islamabad të enjten në mbrëmje, tha ambasadori i Iranit në Pakistan./Alsat.mk.

The post Libani është nyja kritike që po e rrezikon seriozisht armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit appeared first on Alsat.