
Kuvendi sot duhet ta vazhdojë seancën e 85-të, ndërsa në rend dite janë: Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për veprim me objektet e ndërtuara pa leje, i propozuar nga deputetët e pushtetit, si dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, i propozuar nga opozita. Të dy ligjet parashikohet të miratohen me procedurë të shkurtuar.
Me ndryshimet në Ligjin për legalizimin e objekteve pa leje, të dorëzuara nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni, propozohet zgjatje edhe për pesë vjet e afatit për legalizim, përkatësisht ligji të vlejë gjithsej 20 vjet – deri më 3 mars 2031.
Siç sqaroi deputeti Bojan Stojanovski në një konferencë për shtyp javën e kaluar, qëllimi është që qytetarët të mos mbeten me status të pazgjidhur të shtëpive të tyre për shkak të pengesave administrative apo procedurave të ngadalta.
Sipas tij, shumë qytetarë prej vitesh janë të bllokuar në procese gjyqësore për çështje pronësore ose procedura të ndryshme që nuk varen nga ata. Ligji aktual parashihte afat deri më 3 mars 2026, që do të thoshte ndërprerje automatike e mijëra lëndëve që janë në procedurë.
Me këto ndryshime u mundësohet komunave, si organe kompetente, t’i përfundojnë ligjërisht procedurat e nisura. Ndryshimi nuk parashikon kërkesa të reja, por vlen vetëm për qytetarët që tashmë kanë dorëzuar dokumentacion dhe presin me vite për fletëpronësinë.
Iniciativa vjen me kërkesë të Bordit drejtues të BNJVL-së dhe komunave dhe, sipas propozuesve, nuk ka implikime shtesë financiare për buxhetin e shtetit dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”.
Ndërkohë, me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, të dorëzuar nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni, kërkohet që paga minimale në vend të jetë 600 euro.
Deputetja Jovana Trençevska theksoi se ky është një përgjigje reale ndaj kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve, duke shtuar se shumë prej tyre detyrohen të protestojnë sepse nuk arrijnë t’i paguajnë shpenzimet bazë dhe ushqimin për familjet.
Sipas LSDM-së, nuk qëndron arsyetimi i Qeverisë se nuk ka mjete për pagë minimale prej 600 eurosh dhe u bëhet thirrje të gjithë deputetëve ta mbështesin ligjin.
Para deputetëve është edhe Propozim-rezoluta për respektimin e standardeve të procedurës së drejtë në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, e dorëzuar nga BDI.
Gjatë ditës do të mbajnë mbledhje edhe Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, si dhe Komisioni juridiko-ligjvënës.
