Gazetar: Suad Bajrami

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbrëmë erdhi në rend dite të seancës kuvendore, por nuk kaloi në lexim të parë meqë mungoi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, i cili është përfaqësues i autorizuar nga kryeministri Hristijan Mickoski për të prezantuar dhe mbrojtur propozimin para deputetëve. Mungesa e Salit e revoltoi opozitën.

“Përfaqësuesi i Qeverisë nuk është këtu që të mundemi lirisht ne ta zhvillojmë debatin. Po më keq se kaq unë nuk e di ku ka. Ky është turp i madh. Turpi më i madh që ndonjëherë dhe degradimi më i madh që kanë përjetuar ndonjëherë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, tha në seancë Rina Ajdari, shefe parlamentare e Frontit Evropian .

Por ku ishte Bekim Sali dhe pse nuk u paraqit ta mbrojë ligjin përpara deputetëve? Sipas nënkryetarit të Kuvendit Antonio Milloshoski, Sali është arsyetuar me një udhëtim zyrtar.

“Zëvendësi i parë i kryetarit të Qeverisë dhe ministri për Çështje Evropiane e ka njoftuar Kuvendin se për shkak të obligimeve zyrtare jashtë shtetit, nuk do të mund të marrë pjesë në seancë”, deklaroi mbrëmë Antonio Milloshoski, nënkryetar i Kuv endit

Në fakt ngjarja që ka penguar pjesëmarrjen e Salit në seancën e djeshme, është Forumi Ekonomik që sot mbahet në Stamboll. Sali nuk ka mundur të jetë prezencë në seancën që dje filloi në ora 15, pasi kishte një ngjarje që mbahej një ditë më vonë, respektivisht sot në ora 09.

Rikujtojmë që shumica parlamentare e cila aktualisht nuk e ka shumicën e Badenterit, miratoi vendim që Ligji për Përfaqësim të Drejtë të miratohet me Badenter, por jo nga numri i përgjithshëm, por vetëm të atyre që do të jenë prezent në sallë gjatë votimit. Opozita shqiptare ka paralajmëruar amendamente ndaj propozimit të Qeverisë, madje duke kërcënuar me bllokimin e ligjit në Kuvend. /Alsat.mk

The post Ligji për Përfaqësim në Kuvend, Bekim Sali në Stamboll appeared first on Alsat.