-Kjo gjykatë do ta marrë vendimin për atë lëndë, askush mos të ketë dilema, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, pasi sot u shty procesi i debatit dhe sjelljes së vendimit për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, përcjell TV21. Gjykata Kushtetuese solli vendim që të mbajë seancë përgatitore para se të mbahet debati për nismën për rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së dispozitave nga ky ligj. Kryetari i gjykatës Darko Kostadinovski, tha se ekzistojnë çështje të kontestueshme për të cilat do të kërkojnë mendim nga ekspertët, por edhe “amicus”, siç tha ai “Këshillën miqësore të Komisionit të Venecias”. Sipas tij, seanca përgatitore pritet të mbahet në muajin mars të vitit 2025.

“Në atë moment kur do ta marrim “amicus”, vlerësimi im është që do të jetë në fillim të muajit mars, do të mbahet seanca përgatitore, në të cilën do të jeni të ftuar të gjithë ju. T’i dëgjoni argumentet juridike, jo ato politike, jo ato etnike, por juridiket. Si shkëmbejmë edhe me ekspertë ndërkombëtarë dhe me ekspertë tanë”, tha Darko Kostadinovski.