Gazetar: Bashkim Sulejmani
Dy kandidatët për kryetar të komunës së Gostivarit Valbon Limani nga AKI dhe Nevzat Bejta nga koalicioni VLEN, hapën fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 11 janarit. Valbon Limani i AKI-së në tubimin në Gostivar shpalosi platformën e tij.
“Ne fituam në raundin e parë dhe ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve. Në këtë raund të përsëritur kërkoj sërish konfirmimin tuaj, sepse për pak vota na hoqën fitoren. S’është hera e parë që provojnë këto lojëra me Gostivarin, por jam i bindur se me vullnetin tuaj dhe me ndihmën e Zotit do ia dalim gjithë bashkë. Kjo është një sfidë që i takon Gostivarit mua dhe gjithëve së bashku, ta fitojmë përball atyre që donin ta hiqnin vullnetin dhe të drejtën tonë për të vendosur për fatin e këtij qyteti”, tha Valbon Limani, kandidat i koalicionit AKI për Gostivarin.
Nga ana tjetër kandidati i VLEN për Gostivarin Nevzat Bejta kërkoi mbështetje për siç tha, më në fund Gostivari të filloi të realizoj projektet e duhura.
“Ata nuk kanë ditur gjë tjetër përveç ti mashtrojnë qytetarët dhe të merren me politikë. Asnjë projekt nuk kanë realizuar. Me ardhjen time, unë nuk dyshoj në fitore se ne e kemi fitoren, por kështu si jemi tubuar duhet ta rrisim fitoren sa më shumë që të mos iu kujtohet më të tallen me votën e qytetarëve të Gostivarit. Një prej projekteve më të mëdha që do ta bëjmë bashke me VLEN dhe Qeverinë, do e hapim bulevardin që është pengesë e madhe për qarkullimin e komunikacionit”, u shpreh Nevzat Bejta, kandidat i koalicionit VLEN për Gostivarin.
Nevzat Bejta nga VLEN dhe Valbon Limani nga AKI po garojnë për komunën e Gostivarit, pas dështimit të procesit zgjedhor më 19 tetor për shkak të mos arritjes së censusit./ Alsat.mk
The post Limani dhe Bejta prezantojnë programet për zgjedhjet e 11 janarit në Gostivar appeared first on Alsat.
