Gazetar: Avni Tahiri

Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) ka ulur borxhin ndaj transportuesve të linjave private të Shkupit, duke u lëshuar rreth 20 milion denarë në llogaritë e tyre.

Edhe pse sipas transportuesve privat kanë mbetur edhe rreth 150 milion denarë të papaguara, autobusët e linjave private, sot përsëri u rikthyen në qarkullim.

“Dje morëm pagesë nga ana e NQP-së, siç thamë edhe herën e kaluar ne prisnim pagesë, janë lëshuar mjete dhe autobusët janë rikthyer përsëri në qarkullim të rregullt. Apelojmë drejtorin e NQP-së që duhet rregullisht të paguajë paratë sepse kemi nevojë për derivate, servisim të autobusëve, pra na duhen paratë që të mund të funksionojmë normalisht. Këto fonde nuk janë të mjaftueshme por ja qarkullojmë dhe presim që në vazhdimësi të bëhet pagesa”, tha Jovica Zafirovski – Transportues Privat.

Qytetarët nga ana tjetër thonë se një ditë më parë u detyruan që të gjejnë alternativa të transportit për të kryer obligimet ditore.

“Sot ishte mirë situata me autobusët, kishte autobusë në çdo pesë minuta por më parë ishte shumë e vështirë. Ato privat nuk janë paguar dhe sigurisht që ato duhet të jetojnë, edhe ju pa rrogë edhe unë pa pension nuk mundemi”, tha një qytetar.

”Qytetarët e sidomos ne pensionistët që shfrytëzojnë transport publik po e vuajmë më shumë. Ndonjëherë presim edhe nga një orë e sidomos në kohen kur nuk punojnë ato privat”, deklaroi një tjetër qytetar.

“Nuk i paguajnë me vite, nuk janë të rregullt. Ku është faji sipas jush? Te shteti”, u shpreh një qytetar.

Për shkak të borxhit që Ndërmarrja e Qarkullimit Publik kishte ndaj linjave private, autobusët privatë dje qarkulluan vetëm nga ora 5:00 deri në ora 10:00. Situata e tillë sërish riktheu pritjet e gjata të qytetarëve dhe kaosin për të gjetur një vend në autobusët e stërmbushur të transportit publik. Në mesin e qytetarëve kishte edhe shumë nxënës të cilët për shkak të reduktimit të linjave private ishin vonuar për në shkollë. /Alsat.mk

The post Linjat private rikthehen pas pagesës së pjesshme nga ana e NQP-së appeared first on Alsat.