Miguel Ángel Portugal, 70 vjeç, ish-futbollist, trajner i Castilla, skaut dhe sekretar teknik i Real Madridit, zbuloi për gazetën “AS” se klubi madrilen pati mundësinë ta tentonte transferimin e Lionel Messit, përpara se argjentinasi të nënshkruante kontratën profesionale me Barcelonën.
“Erdhi një moment kur mund të tentonim ta merrnim. Ai ende nuk kishte kontratë profesionale me Barcelonën dhe rinovimi po vononte. Një person i afërt me të ia ofroi Real Madridit”, – tregoi Portugal.
Ai shtoi se nuk ishte e qartë nëse oferta ishte e vërtetë, por informacioni mbërriti te drejtuesit madrilenë, madje pati edhe një afrim mes palëve.
“Nuk e di nëse ishte e vërtetë apo jo, por në klub mbërriti informacioni se mund ta tentonim transferimin. Mundësia ekzistonte. Nuk deshëm të prishnim marrëdhëniet me Barcelonën, por pati një afrim. Gjithsesi, për respekt ndaj tyre, mendoj se marrëveshja nuk do të ishte realizuar”, – përfundoi ai.
Portugal foli gjithashtu për lojtarë të tjerë që kishte ndjekur Real Madridi, mes tyre Neymar, Philippe Coutinho, Toni Kroos, Luka Modrić dhe Robinho.
The post “Lionel Messin ia ofruan Real Madridit”; ish-drejtuesi madrilen zbulon prapaskenat appeared first on Telesport.
