Lista e pavarur e Merkos mund të bëhet pjesë e qeverisë

Sipas raportimeve të portalit lokal “Strugalajm”, i afërt me kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, lista e tij e pavarur është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për t’u bërë pjesë e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Burime të këtij portali bëjnë të ditur se bisedimet për hyrjen në koalicion janë në fazën përfundimtare, ndërsa marrëveshja pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Në kuadër të këtyre negociatave, po diskutohet edhe për bashkëpunimin afatgjatë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2028, ku, sipas burimeve, bartësi i listës në këtë zonë pritet të jetë propozuar nga Merko.

Sipas Strugalajm, oferta e qeverisë për Listën “Merko” përfshin disa poste të rëndësishme drejtuese në institucione shtetërore, si:

Drejtor në Postën e Maqedonisë,

Drejtor në Drejtorinë e Zbulimit Financiar,

Zëvendësdrejtor në Drejtorinë e të Hyrave Publike (UJP), dhe

Zëvendësdrejtor në Inspektoratin Shtetëror Ndërtimor.

Në ditët në vijim pritet të publikohen më shumë detaje rreth kësaj marrëveshjeje të mundshme, e cila, sipas burimeve pranë Listës së Merkos, do të konkretizohet shumë shpejt./FaktiDitor.info