Gazetar: Suad Bajrami
Pronari i kompanisë “Durmo Turs” Durmish Beluli ka fituar edhe 20 ditë të reja shtyrje për mbajtjen e dënimit me burg prej 10 vjetësh për aksidentin e Llaskarcës në vitin 2019 ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan. Gjykatësi Qirko Mihajllovski, në një bisedë telefonike për Alsat, konfirmoi informacionin duke theksuar se shtyrjen ia ka vazhduar me rekomandim të mjekut i cili i ka thënë Beluli duhet të pushojë derisa t’i shërohet varra e ndërhyrjes kirurgjikale për Hernia, që e ka kryer fillim të dhjetorit. Beluli i cili është dashur të paraqitet në burg që në qershor të këtij viti, sipas vendimit të ri do të duhet të paraqitet pas festave të fundvitit, respektivisht më 5 janar të vitit të ardhshëm. I pyetur nëse do të kërkojë nga organet verifikim të dokumentacioneve dhe mendimeve mjekësore, Mihajllovski thotë nuk do të kërkojë meqë i beson mjekut, ndërsa frikësohet që të mos i ngritët procedurë për paraqitje të rrejshme. Beluli tanimë gjashtë muaj e ka shtyrë fillimin e mbajtjes së dënimit, për arsye shëndetësore. Ndërkohë, i dënuari i dytë Remzi Miftari, i cili gjithashtu e shtyu disa herë dënimin për arsye shëndetësore lidhur me diagnozën e njëjtë “Hernia”, Pas mbarimit të periudhës së rikuperimit, Miftari nuk është paraqitur në burg dhe tanimë një muaj ndodhet në arrati.
Për aksidentin tragjik, në burg janë shoferi Manoil Trifunovski, i cili mori dënimin më të lartë në këtë lëndë – 14 vjet burg. Prej 6 qershorit, në Burgun e Idrizovës ndodhen edhe udhëheqësi i Stacionit të Kontrollit Teknik, Igor Gjorgjievski i cili është dënuar me 7 vjet burg, por edhe kontrollori teknik Goran Dukovski, i cili gjithashtu është dënuar me 7 vjet burg.
Aksidenti i Llaskarcës ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan. Sipas aktgjykimit, autobusi i aksidentuar ka qenë teknikisht i parregullt, ndërsa të gjithë të akuzuarit nuk i kanë respektuar detyrimet ligjore për sigurinë e udhëtarëve. /Alsat.mk
The post “Llaskarca”, Belulit sërish i shtyhet mbajtja e dënimit/ Gjykata: Shtyrja, me rekomandim të mjekut appeared first on Alsat.
