Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Gordana Siljanovska Davkova në lidhje me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Duke komentuar deklaratat e presidentes në Click Plus, Lloga tha se nuk ka nevojë për dy komisione, pasi kjo çështje është tejkaluar në vitin 2024.

Në lidhje: Provimi i jurisprudencës në shqip, Siljanovska-Davkova: Kam frikë të mos gjendemi “të humbur në përkthim”

“Mbrëmë në emisionin e TV21 , znj. Siljanovska, duke tentuar t’i bëj bisht diskutimeve lidhur me provimin e jurisprudencës, paraqiti disa qëndrime tashmë të tejkaluara si problematike. Së pari, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të ketë dy komisione për dhënien e provimit, pasi një praktikë e tillë është tejkaljar që nga janari i vitit 2024, kur Ministria e Drejtësisë formoi një komision të ri konform ligjit me anëtarë dhe zëvendësanëtarë maqedonas dhe shqiptarë, si dhe anasjelltas. Prandaj, ky argumentim është nul. Së dyti, mundësia që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe është paraparë me propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës (me pëlqimin e Sekretariatit Ligjvënës), të përgatitur nga MD dhe dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e RMV-së po në janar të vitit 2024. Ky propozim u tërhoq më pas nga shumicae re parlamentare, përkatësisht nga VMRO-VLEN. Kjo procedurë nuk është as risi dhe as përjashtim: praktika të tilla ekzistojnë në vende si Finlanda, Belgjika, Zvicra, Kanadaja dhe një sërë demokracish të avancuara perëndimore. Ekziston edhe një dallim thelbësor që kjo klasë politike ish-jugosllave, e përfaqësuar nga znj. Siljanovska, duhet ta kuptojë: gjuha shqipe nuk është “gjuhë minoriteti”, siç pretendon ajo “gabimisht” në vazhdimësi, por është gjuha e rreth një të tretës së popullsisë së këtij vendi dhe e njërit prej popujve shtetformues bashkë me maqedonasit”, thuhet në reagimin e Llogës.