
Bora e mëngjesit të sotëm i gjeti thuajse të pa përgatitura autoritetet. Në shumë rrugë të Shkupit, situata ishte e vështirë për qarkullim për shkak të borës dhe ngricave. Edhe pse i pari i Shkupit ka shkruar se bora nuk ishte befasi për autoritetet, kjo ishte situata nëpër rrugët e Shkupit sot.
Në rrugët rajonale dhe ato të fshatrave, qarkullimi ishte edhe më i vështirë.
Me vështirësi u përballën edhe qytetarët të cilët zgjodhën që të shfrytëzonin transportin publik për të evituar qarkullimin me automjete për shkak të borës.
Një ndër qytetarët e shumtë qe priste për autobus, kishte udhëtuar nga fshati Rashçe për të kryer kontrollet mjekësore, por së bashku me tjerët u përball me rrëmujë dhe pritje të gjatë.
“Dy orë e pres autobusin me numër nëntë dhe ja nuk ka autobusë, presim në borë këtu ndërsa kryetari thotë se ka autobusë por jo nuk ka. – Mendoni se shkaku i borës është pritja? – Po, sigurisht por ndoshta edhe defekte kanë. Unë nga fshati erdha që të shkoj në spital dhe ja nuk ka. – Nga cili fshat? Nga fshati Rashçe. Si është atje rruga? Edhe atje e pa pastruar ishte rruga”, tha një qytetar.
“Atje ku unë jetoj nuk kalojnë as pastrues e asnjë, jetoj në Gazibabë. – Atje nuk ishte e pastruar rruga? Jo, nuk ishte, vetëm rruga Cvetan Dimov por tjerat jo”, u shpreh një qytetar.
“Si çdoherë na befasoi bora por do të shkrihet gjithsesi pasi ajri i Shkupit është mjaft i ndotur që të mos e mbaje gjatë borën, dhe do të shkrihet”, theksoi një qytetar.
Sipas kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjoegjievskit, shërbimet e qytetit që nga orët e hershme të mëngjesit ndërhynë në të gjithë bulevardet dhe rrugët kyçe nën kompetencën e Qytetit të Shkupit ndërsa deri tani janë hedhur rreth 300 tonë kripë. Sipas tij, aktivitetet për pastrimin e borës dhe akullit do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, si dhe gjatë natës në vijim, në përputhje me gjendjen në terren. / Alsat.mk
