Shqipëria ka siguruar pasditen e së hënës dy medalje të tjera në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” (3 në total deri më tani), edhe këto në sportin e mundjes. Islam Dudaev mori medaljen e artë në peshën 74kg të stilit të lirë, ndërsa Zelimkhan Abakarov vari në qafë medaljen e argjendtë në peshën 65kg të stilit të lirë.

Në finalen e peshës 74kg, Islam Dudaev mundi Fati Vejseli të Maqedonisë së Veriut, që u tërhoq në mesin e periodës së dytë, i dëmtuar. Deri në ato momente, mundësi kuqezi po udhëhiqte 4-0 (2-0 perioda e parë), në një duel që e dominoi, duke e merituar fitoren dhe vendos në qafë të artën e parë për Shqipërinë në këtë turne.

Një ditë më parë, në përballjen e parë, Dudaev mundi 11-2 kosovarin Egzon Xhani, ndërsa në çerekfinale mundi 10-0 grekun Georgios Ioakeimidis. Ndërsa në gjysmëfinale, mundësi kuqezi mundi 3-1 spanjollin Mohammad Mottaghinia. Të dielën,

Në finalen e peshës 65kg të stilit të lirë, mundësi shqiptar Zelimkhan Abakarov u mund 4-2 nga turku Ahmed Duman, duke marrë kështu medaljen e argjendtë. Edhe pse u përpoq shumë, mundësi 33-vjecar shqiptar nuk ia arriti të përsëriste rezultatin e 4 viteve më parë.

Duman udhëhoqi 4-0 në periodën e parë dhe e administroi avantazhin deri në fund, ndërsa për mundësin kuqezi nuk mjaftuan 2 pikë të fituara nga pasiviteti i rivalit. Gjithsesi, medalja e argjendtë është një tjetër rezultat mjaft i mirë për Abakarov dhe mundjen shqiptare.

Një ditë më parë, në sfidën e parë në këtë turne, Abakarov mundi 3-0 egjiptianin Emam Shehabeldin, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale, ku triumfoi 6-2 ndaj sirianit Ahmad Dirki, sukses që e çoi në finale. Shqipëria ka fituar edhe një të bronztë me mundësin Ardit Zeneli.

Po në sportin e mundjes, sot garoi edhe Albina Drazhi, në peshën 68kg të stilit të lirë. Që në përballjen e saj të parë ajo u mund 10-5 nga kroatja Veronika Vilk, duke u eliminuar nga gara, pa patur mundësi të shkojë në zonën e medaljeve.

The post Lojërat Mesdhetare/ Islam Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e artë, Abakarov merr të argjendtën appeared first on Telesport.