Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” që po zhvillohet në Itali do të ulin sot siparin e tyre me ceremoninë e mbylljes. Shqipëria, që shkoi në këtë event me një ekip të madh, plot 72 sportistë, e mbylli këtë aventurë me 6 medalje.

2 medalje janë të arta, të fituara nga mundësi Islam Dudaev dhe peshëngritësi Briken Calja. Medalja e vetme e argjendit u fitua nga mundësi Zelimkhan Abakarov, ndërsa tri  medaljet e bronzta u fitua nga shtangistët Enkeleda Carja e Briken Calja si dhe mundësi Ardit Zeneli.

Shqipëria, natyrisht që kishte mundësi të “rrëmbente” edhe medalje të tjera në këtë edicion të 20-të të Lojërave Mesdhetare, kryesisht në karate, atletikë e peshëngritje, por kuqezinjtë u ndalën në hapin e fundit, duke marrë disa vende të katërta.

E fundit që garoi për Shqipërinë në këtë turne ishte atletja Yipsi Moreno Gonzalez, në hedhjen e çekiçit. Ajo u klasifikua në vendin e gjashtë mes 9 konkurrenteve, duke mos kapur dot zonën e medaljeve, siç dhe pritej. Ajo dha rezultatin 65.99 metra në garën mesdhetare.

Kështu, Shqipëria u rendit në vendin e 16-të në “Taranto 2026”, një vend pas Kosovës (2 ari, 3 argjendi, 4 bronzi), me shpresën që pas katër vitesh, në turneun mesdhetar që do të zhvillohet në Prishtinë, rezultatet të jenë edhe më të larta.

 

The post Lojërat Mesdhetare/ Moreno e 6-ta në hedhjen e çekiçit, Shqipëria e mbyll me 6 medalje appeared first on Telesport.