Gazetare: Fatlume Dervishi

Qeveria po përgatit terrenin për pranimin e propozimit francez dhe kjo lidhet me deklaratën e Ministrit të Jashtëm Timço Muçunski për një lloj marrëveshjeje të fshehtë për të filluar negociatat me BE-në. Kështu e komenton LSDM-ja qëndrimin e fundit të ministrit Mucunski i cili ditë më parë tha se po zhvillohen negociata joformale për të zhbllokuar integrimin. Ata thonë se nga Brekseli kanë marrë informacione se tashmë ka një marrëveshje.

Ata po përpiqen të bëjnë një strategji se si ta paraqesin si fitore atë që deri dje ishte gënjeshtër dhe tradhti e lartë për ta. Dhe e gjithë ajo strategji për atë që po ndodh sot në këto dhoma, sepse si tjetër do të shpjegohet se LSDM kishte të drejtë? Do të shpjegohet se pikërisht mbi këto gënjeshtra erdhën në pushtet. Dua t’jua shpjegoj këtë duke thënë se të gjithë ne së bashku, si politikanë, si gazetarë dhe si qytetarë, u habitëm nga kthesa e papritur në politikën dhe diplomacinë e Timço Mucunskit. E gjitha filloi me pranimin e tij se ne nuk jemi maqedonas të veriut, siç pretendonin kur ishin në opozitë. Se ne nuk flasim gjuhën maqedonase të veriut, siç pretendonin kur ishin në opozitë, por, përkundrazi, se sot jemi maqedonas dhe se flasim gjuhën maqedonase”, deklaroi Andrej Zhernovski, LSDM.

Ministria e Jashtme përgënjeshtroi Zhernovskin. Sipas tyre, është fakt se po zhvillohen bisedime me partnerët por se ato janë transparente. Kurse thonë se LSDM-ja manipulon dhe krijon histeri.

“Konferenca e sotme për shtyp nga LSDM është një tjetër përpjekje për të krijuar histeri dhe për të dezinformuar publikun. Në vend që të marrë përgjegjësi dhe të kërkojë falje për dëmin që i ka shkaktuar pozicioneve kombëtare dhe të politikës së jashtme të vendit, LSDM po përhap përsëri të pavërteta dhe trillime të rënda. Pretendimet për një marrëveshje të fshehtë ose negociata të fshehta janë vetëm një tjetër seri trillimesh që LSDM po përhap në publik. Nuk ka lëshime nga interesat kombëtare, identiteti, gjuha dhe historia. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet një angazhim strategjik dhe qëllimi përfundimtar i kësaj Qeverie”,

thanë nga Ministria e Jashtme.

• Një tjetër përpjekje për të krijuar histeri dhe për të dezinformuar publikun.
• Pretendimet për një marrëveshje të fshehtë ose negociata të fshehta janë vetëm një tjetër seri trillimesh që LSDM po përhap në publik.

Deri në këto momente, nuk dihet formati i negociatave që po zhvillohen dhe pjesëmarrësit në to. Mucunski kishte deklaruar se nuk mund të zbardhë më shumë detaje.
Hapja e kapitujve të negociatave mbetet e kushtëzuar me ndryshimet kushtetuese./Alsat.mk.

The post LSDM akuzon Qeverinë se po përgatit pranimin e një marrëveshjeje të re me BE-në appeared first on Alsat.