Opozitarja LSDM edhe sot ka kërkuar përgjegjësi për siç i quajnë skandalet në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, pasi sipas tyre, shef i kontrollorëve të Shërbimit të Pagesës Rrugore në Petrovec, Millanço Mitrevski u kap duke shpërdoruar detyrën zyrtare dhe për këtë i është caktuar vetëm masë disiplinore, por jo edhe kallëzim penal, siç bëri MPB-ja ndaj 12 punonjësve të policisë dhe 6 punonjësve të pikëpagesave që u kapën në skandalin për mospagesë të tarifave rrugore.
“Toshkovski dhe MPB duhet të përgjigjen pse nuk sanksionohet Mitrevski? Pse nuk ka asnjë kallëzim penal ndaj tij? A ka MPB një qasje selektive apo ligjet nuk zbatohen për të për shkak se është kuadër i DPMNE-së? LSDM kërkon epilog të menjëhershëm të këtij skandali dhe përgjegjësi. Koce Trajanovski duhet menjëherë të shkarkojë Millanço Mitrevskin nga posti i shefit të kontrollit të Shërbimit të pagesës”, tha Bogdanka Kuzevska, LSDM.
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë shtetërore thanë se do t’ia ndërpresë angazhimin e përkohshëm dhe do të shqyrtojnë pretendimet për keqpërdorime.
“Ndërmarrja publike për Rrugë Shtetërore do ta ndërpresë detyrën e përkohshme të Koordinatorit të kontrollit dhe do t’i shqyrtojë pretendimet e parashtruara në opinion, sepse ligji duhet të zbatohet për të gjithë, pavarësisht nga pozicioni apo funksioni i tyre”, thonë nga NP “Rrugët shtetërore”.
Më 28 korrik 2024 Millanço Mitrevski është emëruar me detyrë të përkohshme prej tre muajsh si koordinator i kontrollit në Departamentin për mbledhje dhe kontroll të pikëpagesave.
