Tripunovski dhe Ministria e Bujqësisë në këto dy vite, në vend që të jenë shërbim për bujqit, janë simbol i skandaleve dhe krimit. Kjo ishte pjesë e arsyetimit për interpelancën ndaj ministrit, të paraqitur nga LSDM, të cilën e arsyetoi deputeti Lupço Nikollovski. Sipas tij, Tripunovski si ministër nuk do të mbahet mend për reforma dhe zhvillim, por për skandale korruptive, programe evropiane të bllokuara, kapacitete institucionale të shkatërruara dhe politika që i lanë bujqit pa mbështetje në kohë.

“Ministër, mandati juaj ka tre fjalë: nuk është përmbushur asnjë premtim i dhënë, që do të thotë një gënjeshtër e madhe ndaj bujqve, arrogancë nga e cila janë të pakënaqur pikërisht këta kolegë që ju dhanë mbështetje dhe këtë na e thonë shumë qartë dhe drejtpërdrejt, jo vetëm bujqit, dhe ajo që është më katastrofale është korrupsioni në të gjitha nivelet rreth jush. Kudo që shikojnë bujqit sot shohin të njëjtën gjë: pak para në xhepat e tyre, mungesë besimi në institucione dhe shumë arsye për t’u ndjerë të mashtruar”, tha Lupço Nikollovski – deputet i LSDM-së dhe ish ministër.

Tripunovski u kundërpërgjigj me akuza. Ai e cilësoi Lupço Nikollovskin si fajtorin kryesor për gjendjen në bujqësi, pasi ai ka qenë ministër në këtë sektor. Rikujtoi edhe gjendjen që kishte gjetur kur është ndërruar pushteti.

“I nderuar deputet, unë gjatë gjithë kohës ju shikoj ju dhe ju drejtohem juve, sepse ju jeni fajtori kryesor për atë që kemi trashëguar në sektorin e bujqësisë. T’ju kujtoj se keni lënë mbi 1600 të punësuar në Ndërmarrjen Nacionale Pyjet pa paga për më shumë se 4 muaj. Ndërmarrje të cilën e keni mbingarkuar me punësime dhe i keni lënë 4 muaj, tani flisni për kujdes ndaj qytetarëve dhe bujqve. Katër muaj i keni lënë pa paga, pa sigurim shëndetësor, pa sigurim pensional. Në SH.A. “Ujërat”, për më shumë se pesë muaj keni lënë mbi 500 të punësuar pa paga. Atëherë nuk ju interesonte për këto ndërmarrje, nuk kujdeseshit për këta njerëz?”, u shpreh ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.

Pas fjalimeve të tyre vijuan edhe fjalime të deputetëve nga të dy partitë, të cilët akuzuan njëra-tjetrën se kush është fajtor për gjendjen e keqe të bujqve. Sipas rregullores së Kuvendit, debati për interpelancën zgjat një ditë pune, deri në shterimin e folësve të paraqitur, ndërsa votimi duhet të përfundojë deri në mesnatë.