LSDM: Vendimi i SHBA-ve për vizat nuk është “pauzë teknike”, por paralajmërim

LSDM-ja opozitare ka reaguar se vendimi i SHBA-ve për pezullimin e përpunimit të vizave për qytetarët e vendit nuk është “pauzë teknike”, por paralajmërim. Nga aty thonë se po bëhemi një vend i “botës së tretë”, raporton Portalb.mk.

“Maqedonia sot po paguan çmimin e politikave të gabuara të Mickoskit, të cilat çojnë drejt mbylljes, izolimit dhe humbjes së besimit te partnerët strategjikë. Politika e jashtme e kësaj qeverie është reduktuar në aktivitete anti-amerikane të bashkëpunëtorëve më të afërt të Mickoskit, si nënkryeministri i tij Stoilkoviq, i cili ka qëndrime të hapura pro-ruse dhe lidhje direkte me Moskën”, thuhet në njoftimin LSDM-së.

Ata thonë se po bëhet edhe një fushate agresive kundër Bashkimit Evropian.

Dje, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret “lajme të mira” për qytetarët e vendit në lidhje me vizat për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sqaroi se pezullimi aktual nuk ka të bëjë me të gjitha llojet e vizave, por vetëm me ato imigruese, ndërsa vizat turistike dhe studentore, siç tha ai, vazhdojnë të lëshohen pa asnjë pengesë.

“Mendoj se në ditët që vijnë do të ketë lajme të mira për qytetarët e Maqedonisë kur bëhet fjalë për këtë lloj marrëdhëniesh me partnerin tonë strategjik. Unë do të isha i kujdesshëm dhe i durueshëm”, deklaroi Mickoski.

LEXO: Mickoski: Vendi pret lajme të mira nga Amerika
Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka pezulluar përpunimin e vizave të emigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, raporton Fox News, duke cituar një dokument nga Departamenti i Shtetit.

Lista e publikuar e vendeve të prekura të raportuara nga mediat lokale përfshin, siç shkruhet, Maqedoninë, së bashku me vende nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Midis tyre janë Rusia, Irani, Afganistani, Brazili dhe Nigeria.

Vendet e Ballkanit në listë, përveç vendit tonë, janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.