Punëtorët, anëtarët e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, si dhe anëtarët e sindikatave të tjera, liderët e të cilave nuk luftojnë për rritjen e pagave të tyre, të na bashkohen të shtunën në ora 12:05 para Shtëpisë së Punëtorëve – bëri thirrje kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.

“Ju bëjmë thirrje të na bashkoheni të shtunën në ora 12:05 para Shtëpisë së Punëtorëve, që të dërgojmë një mesazh të ri, se paga, pra paga minimale, duhet të rritet për të gjithë. Se pagat në Maqedoni janë të mjerueshme e tregojnë edhe të dhënat e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, sipas të cilave 160 mijë punëtorë jetojnë me pagë nën pragun e varfërisë. Mendojmë se duhet të dilni bashkë me ne. Nëse jo ne tani, atëherë kush dhe kur?”, tha Sllobodan Trendafilov – kryetar i LSM.

Paga që marrin punëtorët është rezultat i punës, djersës dhe mundit të tyre, e jo dhuratë nga punëdhënësit, tha Trendafilov. Ai theksoi se pagat duhet të rriten që në mars, pasi shpenzimet e jetesës rriten çdo ditë.

“Ne vlerësojmë se harmonizimi prej vetëm 1.667 denarësh i pagës minimale është i pamjaftueshëm në kushtet në të cilat jetojmë, sepse shpenzimet e jetesës rriten çdo ditë. Sidomos për faktin se vlera e shportës minimale sindikale vetëm për dy muaj është rritur për 2.000 denarë. Ata mendojnë se ju jeni të kënaqur me asgjë ose me thërrime, përballë luksit që ua mundësoni ju atyre”, shtoi kryetari i LSM, Sllobodan Trendafilov.

Nga ana tjetër, Qeveria mbetet në qëndrimin se veprimet e LSM-së kanë prapavijë politike. Kryeministri dje deklaroi se adresa drejt Qeverisë është e gabuar dhe se punëtorët dhe punëdhënësit duhet të merren vesh mes tyre.

“Bëj thirrje për kujdes, sepse bëhet fjalë për struktura familjare serioze që janë thellë të përfshira në një llum politik, në një moçal politik, dhe normalisht që do të dalin në publik me tema të tilla. Nëse sot kërkojnë pagë minimale 600 euro, pas një kohe do të kërkojnë 800 euro, ndoshta edhe 1.000 euro pagë minimale. Ndërsa ne si Qeveri këtu jemi të pafuqishëm”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Protesta të shtunën do të nisë para LSM-së, do të vazhdojë para Kuvendit, më pas para Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë. Nga LSM-ja janë të prerë se nuk tërhiqen nga kërkesa për pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave për mbi 6.000 denarë. Nëse nuk dëgjohen kërkesat e tyre, nuk përjashtohet as opsioni i grevës së përgjithshme në sektorin publik dhe privat.