Banorët e Lubotenit të Shkupit u ngritën në protestë kundër, siç pretendojnë, uzurpimit të një parcele të fshatit, por Komuna e Butelit thotë se nuk është e vërtetë, sepse çdo gjë në atë vend po bëhet në mënyrë ligjore.
Dje banorët e këtij fshati, të prirë nga kryetari i Bashkësisë Lokale, Rexhep Imeri, akuzuan se personi Nexhmedin Fazliu ka uzurpuar një parcelë, ndonëse siç pohojnë me ligj nuk mund të jepet toka bujqësore me koncesion për subjekte që nuk e kanë bujqësinë fushë të veprimit. Rexhepi shtoi se personi në fjalë ka konkurruar me kompani të qendrës teknike.
“Në pikën e gjashtë të nenit që ka të bëjë me obligimet që ka ai që e merr tokën në koncesion shkruan se subjekti obligohet që për çdo vit të dërgojë raport se çka ka mbjellur në atë tokë, e që personi në fjalë 10 vite nuk ka mundur të dorëzojë asgjë sepse atë tokë nga viti 2013-2022 në fund nuk e ka shfrytëzuar as edhe një sekondë. Në pikën e shtatë të nenit që ka të bëjë me obligimet që ka ai që e merr tokën në koncesion shkruan se koncesioneri është i obliguar që çdo 5 vite të dorëzojë realizimin e biznes-planit për atë tokë, edhe në këtë pjesë ai nuk ka mundur të dorëzojë asgjë sepse nuk e ka punuar tokën nga 2013 deri në fund të 2022”, tha Rexhep Imeri – kryetar i Bashkësisë Lokale.
Po nga ana tjetër kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, tha për TV21 se procedura dhe leja e ndërtimit për objekt bujqësor është dhënë sipas ligjit, teksa shton se ndaj personave që kanë protestuar është duke u përgatitur edhe kallëzim penal.
“Bëhet fjalë për procedurë ligjore, personi ka marrë ligj afatgjatë me leje që të ndërtohet objekt bujqësor. Më pas komuna e Butelit sipas të drejtave ligjore ka dhënë miratim për ndërtimin e objektit bujqësor. Nuk bëhet fjalë absolutisht për asnjë uzurpim, me aq sa jam në dijeni, ka pasur inspekcion nga ana e ministrisë për të vendosur një procedurë, nuk është gjetur asnjë vërejtje , kështu që bëhet fjalë për procedurë të pastër ligjore, dhe manipulime nga ana e personave që kanë dalë në protestë për të dhënë deklarata “paushalle”. Mendoj që janë duke u përgatitur edhe kallëzim penal sepse bëhet fjalë për shpifje”, theksoi Darko Kostovski – kryetar i Komunës së Butelit.
TV21 kontaktoi edhe personin që banorët e akuzojnë për uzurpim, Nexhmedin Fazliun, por na tha se sot nuk mund të përgjigjet rreth këtyre akuzave dhe se nesër do të dalë në vendngjarje ku do t’i tregojë dokumentet për leje ndërtimi.
