Mbrëmja historike e Lionel Messit në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë u shndërrua në një makth për portierin Luca Zidane. Djali i Zinedine Zidane bëri disa gabime vendimtare, sidomos te goli i dytë, ku një devijim i gabuar ia dhuroi topin Messit, i cili nuk gaboi. Edhe te goli i parë, ndonëse goditja ishte e jashtëzakonshme, ndërhyrja e tij u konsiderua e pasigurt.

Luca, i lindur në vitin 1998, ndërroi shtetësinë sportive nga Franca në Algjeri shtatorin e kaluar, falë origjinës algjeriane të familjes. Para Botërorit kishte pranuar presionin që e shoqëron mbiemrin e tij: “Njerëzit mezi presin që unë të gaboj për të folur rreth mbiemrit tim”.

Në tribunë ishte edhe babai i tij, Zinedine Zidane, i cili u filmua nga kamerat dukshëm i zhgënjyer pas golave të pësuar. Edhe statistikat e konfirmuan paraqitjen e dobët të portierit. Sipas “SofaScore”, ai bëri vetëm 3 pritje dhe regjistroi një tregues të golave të parandaluar prej -0.78, që do të thotë se pësoi më shumë gola sesa pritej statistikisht.

Pas ndeshjes, rrjetet sociale u mbushën me kritika ndaj Luca Zidane, i cili tani synon të lërë pas këtë paraqitje dhe të reagojë në ndeshjet e ardhshme të Botërorit.

The post Luca Zidane zhgënjen ndaj Messit në Botëror. “Zizou” mbetet i shtangur: “Njerëzit presin që unë të gaboj” appeared first on Telesport.