Nga M-NAV mbeten në qëndrimin se nuk janë plotësuar kushtet për grevë, pasi nuk është përfunduar procedura e pajtimit dhe se greva nuk bazohet në kërkesa që rrjedhin nga Ligji për Marrëdhënie Pune. Këtë e theksoi përfaqësuesi ligjor i kompanisë, Goran Nikolovski, i cili i hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet e sindikatës profesionale. Ai shtoi se grevën po e kërkon një subjekt jolegjitim, pra vetëm një degë dhe jo një sindikatë përfaqësuese. Nikolovski tha se vendimi i gjykatës është i drejtë dhe prezantoi njoftimin për grevën nga Sindikata Profesionale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, të cilin e quajti “fletë bosh”.
“Nuk e di nëse nga SPKTA ju është dorëzuar njoftimi për organizimin e grevës, por në të nuk mund të lexoni asnjë të drejtë që kërkohet të mbrohet. Ja, ky është njoftimi – pra nuk ekziston asnjë kërkesë konkrete. Nuk mund të bëjmë zëvendësim të tezave, sepse dega e sindikatës ka thënë ‘ne kemi kërkuar…’. Edhe nëse themi se është kërkesë e ligjshme, ajo duhet të jetë në formën e përcaktuar me ligj”, tha Goran Nikolovski, avokat i M-NAV.
Ndërkaq, kryetari i sindikatës profesionale të kontrollorëve të trafikut ajror, Aleksandar Tasevski, tha se e gjithë procedura është respektuar që në vitin 2023, kur është zhvilluar edhe ndërmjetësimi, dhe se atëherë kërkesat janë dorëzuar te drejtuesit e M-NAV. Drejtorët e dinë shumë mirë çfarë është realizuar me marrëveshjen dhe çfarë jo – tha Tasevski, duke i cilësuar pretendimet e avokatit Nikolovski si të pabazuara.
“Jo. Ky është njoftimi i fundit, ku ne i referohemi marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2023 ndërmjet M-NAV dhe Kontrollit të Fluturimeve, ku janë përcaktuar saktësisht të gjitha pikat që duhej të realizoheshin nga drejtorët në afate të caktuara kohore. Le t’i marrin vetë dokumentet në Arkiv, nëse ‘nuk janë të informuar’, gjë që nuk e besoj. Ata e dinë shumë mirë kronologjinë e ngjarjeve dhe do t’i gjejnë të gjitha dokumentet atje.”, tha Aleksandar Tasevski, kryetar i SPKTA.
Greva e kontrollorëve të fluturimeve ishte planifikuar të mbahej nga 20 deri më 24 të këtij muaji, por javën e kaluar Gjykata Civile mori vendim për ndalimin e saj.