Fituesi i zgjedhjeve në Hungari, Péter Magyar, ka deklaruar se vendi i tij “do të jetë sërish një aleat i fortë i Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij në Budapest, përcjell TV21.
“Hungaria do të jetë përsëri një aleat i fortë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Hungaria përsëri do të jetë aleat i fortë që përfaqëson interesat hungareze, sepse vendi i shtetit tonë ka qenë, është dhe do të jetë në Evropë. Ne do ta ndërtojmë dhe do ta vendosim atë mbi një themel të fortë dhe nëse është e mundur, do ta zgjerojmë bashkëpunimin e Katërshes së Vishegradit”, tha Magyar.
Në sheshin Batthyány, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për të festuar rezultatin zgjedhor, turma brohoriste slogane historike si “Ruszkik, haza!” (“Rusë, shkoni në shtëpi”), një thirrje e njohur nga revolta hungareze e vitit 1956 kundër pushtimit sovjetik.
Në fjalimin e tij, Magyar theksoi se rezultati i zgjedhjeve përfaqëson një kthesë të fortë pro-evropiane.
Ai e përshkroi fushatën si një betejë të pabarabartë, duke thënë se nisi me pak mbështetje, “si Davidi kundër Goliathit”, por përfundoi me “një fitore historike”.
Lideri i Tisza-s u bëri thirrje edhe atyre që nuk e votuan, duke kërkuar “unitet kombëtar” pas zgjedhjeve.
Në një tjetër deklaratë, Péter Magyar i kërkoi presidentit të Hungarisë, Tamás Sulyok, që t’i japë “sa më shpejt mandatin për formimin e qeverisë”, dhe më pas të tërhiqet nga detyra e tij.
Ai gjithashtu iu drejtua kryeministrit në largim, Viktor Orbán, duke i kërkuar që të mos ndërmarrë asnjë veprim që mund të kufizojë hapësirën e veprimit të qeverisë së ardhshme.
