Të gjithë emrat e mëdhenj te Milani nuk janë të sigurt nëse do të qëndrojnë sezonin e ardhshëm. Reijnders, Theo Hernandez, Leao, tani edhe Maignan janë joshës për klubet kryesore europiane dhe ato të pasura saudite.

Pas përpjekjeve të Al Hilal për mbrojtësin francez dhe mesfushorin holandez, i cili është gjithnjë e më afër veshjes së fanellës së Manchester City, sirenat vijnë nga Premier League, këtë herë për portierin francez.

Mike Maignan është në radarët e Chelsea. Blutë e Londrës synojnë të kenë një portier të nivelit të lartë për t’u përballur sezonin e ardhshëm (si fitues të freskët të Ligës së Konferencës) në Ligën e Kampionëve. Mediat italiane shkruajnë se klubi londinez ka pasur kontakte fillestare me Milanin.

Në të njëjtën kohë, kuqezinjtë janë gati të rifillojnë negociatat me përfaqësuesit e portierit francez për ta rinovuar kontratën e tij, e cila skadon më 30 qershor 2026. Maignan është në qendër të projektit të ri, që sheh Igli Tare në krye si drejtor sportiv dhe Massimiliano Allegri në stol.

Trajneri livornez, absolutisht nuk do të donte të humbiste një nga lojtarët e paktë kyç në skuadër. Portieri është i zënë me ekipin kombëtar francez në kuadër të “final four” të Ligës së Kombeve, ku do të përballet me Spanjën në gjysmëfinale të enjten, më 5 qershor, në Stuttgart.

Finalet për vendin e tretë dhe të parë janë planifikuar të dielën. Më pas, do të jetë koha që Maignan të marrë pushimet për të rikuperuar energjinë e tij fizike dhe veçanërisht mendore, pas një sezoni të vështirë për sa iu përket rezultateve të ekipit kuqezi.

Për të ardhmen, portieri do të duhet të vendosë nëse do të përqafojë rrugën e re të kuqezinjve si lider, duke pranuar një vit “purgator” pa Kupa Europiane, apo nëse do të dëgjojë ofertat nga ekipet që do të luajnë në Ligën e Kampionëve të ardhshëm.

Nëse lojtari vendos të qëndrojë, ai do të duhet të gjejë marrëveshje për rinovimin me “Djallin”, i cili nuk ka ndërmend ta fillojë sezonin e ardhshëm me një lojtar të vlefshëm të skuadrës, kontrata e të cilit po skadon.

The post Maignan përfundon në radarët e Chelsea, por Allegri dëshiron ta mbajë patjetër appeared first on Telesport.