Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, nga mbledhja e Forumit Rinor të kësaj partie, ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, transmeton TV21.
Thotë se kryeministri aktual, Albin Kurti është duke u sulmuar nga anlistë të njëjtë të cilët, sipas tij, kanë sulmuar edhe VLEN-in.
Taravari vlerëson se kjo është “makineri propagandistike e jashtëzakonshme”, që sipas tij nuk kalon më në Prishtinë dhe Shkup, por ka mbetur vetëm në Tiranë.
“Ta dini të gjithë. Ngritin çështje të cilat, me një makineri të jashtëzakonshme propagandistike që e kanë… E shihni, shkolla e njëjtë është në Prishtinë dhe Shkup. Analistët e njëjtë… Njerëzit e njëjtë prej Maqedonie dhe Kosovë. Propagandë e njëjtë kundër Albin Kurtit dhe krijohet përshtypja se ej Vetëvendosja nuk fiton, por populli ndryshe mendon. Nuk mendon sikur këta analistë që paguhen nga qendra të caktuara. E njëjta propagandë është edhe në Maqedoni. Gjuha shqipe? A ka ndryshuar diçka me gjuhën shqipe? E mbajnë temë, temë… Nëse shkoni në Shqipëri a Kosovë, krijohet përshtypja se këtu më nuk përdoret gjuha shqipe. Jo bre, njësoj është, asgjë nuk ka ndryshuar. As në Gjykatën Kushtetuese nuk ndryshon. Unë e kam thënë këtë para tre – katër muajsh se nuk ndryshon, por vetëm mund të avancohet. Ne në këtë mandat e kemi për obligim që t’ia heqim gjuhës shqipe 20% prej Kushtetutës, punë të cilën Ali Ahmeti s’e ka bërë për 22 vjet. Flasin për flamur – ja ku është flamuri. Askush nuk e pengon përdorimin e flamurit. Unë e kam në zyrën time. Elfetja e ka. Arbeni e ka. Flakroni e ka. Të gjithë funksionarët partiak, politik e qeveritarë e kanë flamurin. Askush nuk e konteston. Askush nuk e pengon. Do të thotë – makineri e jashtëzakonshme propagandistike që ta shpërlan trurin. Më kujtohet që Ali Ahmeti thoshte që shumë shkolla për propagandë ka kryer – por këto shkolla të propagandës siç duket nuk kalojnë më në Prishtinë dhe Shkup, kalojnë vetëm në Tiranë”, tha Taravari.
