Një mbrëmje e paharrueshme për Liverpool-in dhe Arne Slot. Fitorja 2-0 kundër Manchester City, kampionit në fuqi të Anglisë, është rezultat i jashtëzakonshëm për ecurinë e “The Reds” në Premier League, duke marrë parasysh kreun e klasifikimit të blinduar me +9 pikë ndaj Arsenalit dhe Chelsea.

Si gjithmonë, mbrojtësi qendror Virgil van Dijk ishte dominues dhe foli kështu për fitoren ndaj “citizens”: “Mendoj se Manchester City ka një skuadër fantastike. Mos harroni se janë 4 herë kampionët e Anglisë radhazi. Ata kanë cilësinë për të ndëshkuar çdo ekip, por besoj se ne ishim solidë në mbrojtje dhe patëm raste të mëdha”.

Duke iu drejtuar në mënyrë indirekte skuadrës së tij për të qëndruar me këmbë në tokë, pavarësisht diferencës në renditje, holandezi shtoi: “Mund të kishim shënuar më shumë, ishte një ndeshje e mirë. Fituam dhe shohim përpara, përqendrohemi te ndeshja e ardhshme.

Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë. Nuk ka arsye, në këtë fazë të sezonit, për ta humbur fokusin. Natyrisht, të gjithë do të dëshironin të ishin në një pozitë me 11 pikë avantazh ndaj rivalëve, por ka shumë kthesa dhe surpriza. Për fat të keq, kemi disa dëmtime në skuadër dhe duhet ta pranojmë këtë”.

 

The post Manchester City i rrëzuar nga froni i Premier League? Van Dijk i kujdesshëm: Nuk kemi arsye për ta humbur fokusin… appeared first on Telesport.