Bilall Kasami tashmë ka nisur mandatin e dytë si kryetar i Tetovës. Punët që duhen kryer nga mandati i parë janë të shumta, por plot janë edhe premtimet që ka dhënë për mandatin e dytë. Se a do ti mbajë premtimet e si, tetovarët kanë pritshmëri të ndryshme.
“Mendoj se ka punuar këta katër vitet ka punuar më duket se pak më mirë, mua më duket ndoshta edhe gabim jam, ama tek ata tjerët 20 vite s’kam pa punë tek ata. Ishalla i mban, por nuk jam i sigurt 10 për qind unë nuk mendoj“.
“Nuk e di unë nëse ai do t’i mbajë premtimet apo jo, atë që ka thënë duhet që ta mbajë atë premtim”.
“Duhet t’i realizojë të gjithë presim t’i realizojë, presim të jetë më mirë që të jetojmë më mirë”.
“Unë mendoj se do punojë pasi që nuk është ndalë dhe shpresat i kam të mëdha se do i realizoje”.
“Unë mendoj se ka punua para dhe unë përsëri mendoj se do punojë, mendojmë se për atë se dijë ishallah punon”.
Përndryshe Kasami në mandatin e ri ka premtuar transport falas për qytetarët, ndërtim të parkimeve të reja, Park & Ride dhe hapësira për biçikleta e motoçikleta, si dhe blerje të autobusëve dhe minibusëve elektrikë. Ai planifikon ndërtimin e stacioneve moderne të autobusëve, nënstacioneve ekologjike dhe investime të mëdha në shkolla me objekte të reja, pishina dhe salla sportive. Programi i tij përfshin gjithashtu subvencione për fëmijët dhe përmirësime të infrastrukturës urbane, por nuk parashikon afate kohore për realizimin e premtimeve.
Premtimet e Bilall Kasamit për katër vitet e ardhshme në Tetovë:
• Transport falas për të gjithë qytetarët brenda 100 ditëve të para.
• Park & Ride në 3 lokacione strategjike me kapacitet total prej 1.800 vendesh.
• Parkime në kate në 8 lokacione.
• Vendparkime nga lejet e reja ndërtimore me kapacitet prej 2.300+ vende.
• Parkime zonale në rrugët njëkahëshe: mund të krijohen 1.000–3.000 vende të reja parkimi
• Hapësira për biçikleta dhe motoçikleta në çdo parking.
• Ndërtimi i një stacioni të ri modern të autobusëve.
• Blerja e 5 autobusëve elektrikë dhe 5 minibusëve elektrikë.
• Ndërtimi i nënstacioneve të reja ekologjike, korsi të veçanta për transportin publik dhe për biçikleta.
• Subvencion prej 100 euro për çdo fëmijë që regjistrohet në klasë të parë.
Investime në shkolla:
• Shkolla fillore “Liria” – ndërtim i shkollës së re moderne dhe sallë sportive.
• Shkolla fillore “Bratsvo – Migjeni” – objekt i ri shkollor dhe sallë sportive moderne.
• Shkolla fillore “Istikball” – ndërtim i objektit ndihmës.
• Shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” – ndërtimi i pishinës dhe sallës sportive.
• Shkolla fillore “Naim Frashëri” – ndërtimi i pishinës dhe sallës sportive.

