Maqedonia në aspektin energjetik është në gjendje jashtëzakonisht të mirë dhe nuk ka sfidë sa i përket gazit – vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski. Dje ai ka biseduar me kompanitë më të mëdha të naftës dhe rikujtoi se shteti nuk është konsumues i madh i gazit.

“Dje bisedova me kompanitë më të mëdha të naftës. Është mirë që kemi plan, është mirë që tubacioni, përkatësisht përçuesi funksionon, punon, mirë është që e lëshuam në përdorim. Atje kemi sasi jo vetëm për ne, por kemi sasi edhe për fqinjët. Kështu që ne në këtë moment, nëse i shikojmë gjërat nga këndvështrimi i sotëm, nuk kemi një sfidë të tillë, por po, në Evropë do të ketë një sfidë serioze dhe pres sfida serioze”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryeminsitër i Maqedonisë së Veriut.

Sipas kryeministrit, normalizimi i furnizimit në nivel global mund të pritet vetëm në pranverë. Mickoski është i bindur se çmimi i energjisë elektrike tek ne do të mbetet i njëjtë. Thotë se po shqyrtohen mundësitë që vitin e ardhshëm të zgjatet edhe periudha e tarifës së lirë.

“Tek ne gjendja është stabile, ndryshe nga vendet e tjera, nuk vendosim ndalesë për eksport, nuk kemi vendosur as masa të veçanta, përkundrazi. Kemi një plan dhe strategji të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe rezultatet e kësaj janë se kemi çmimet më të ulëta të energjensëve, këtu para së gjithash mendoj për karburantet, naftën dizel dhe benzinën pa plumb 95 në Evropë, nëse përjashtohen Federata Ruse dhe Bjellorusia. Gjithashtu, një nga çmimet më të ulëta të energjisë elektrike në rajon dhe në Evropë. Po luftojmë që ky çmim të mbetet i njëjtë dhe jam i bindur se do të mbetet i njëjtë”, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kryeministri tha gjithashtu se pret lajme të mira nga DFC-ja amerikane për financimin e “Çebrenit dhe Galishtes” si projekt shtetëror të Maqedonisë. Thotë se, nëse gjithçka shkon siç duhet, mund të pritet që vitin e ardhshëm të vendoset gurthemeli.