Në Maqedoni, sonte në mesnatë (00:00) fillon heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo formë e fushatës zgjedhore. Qytetarët pritet të votojnë për përfaqësuesit e tyre lokalë në komuna dhe qytete. Heshtja zgjedhore zgjat deri në përfundim të procesit të votimit. Institucionet apelojnë për respektim të rregullave dhe një proces të qetë demokratik.

Nga ana tjetër, KSHZ ka bërë të gjitha përgatitjet për materialin zgjedhor, ndërkaq të shtunën – 18 tetor votojnë të pamundurit dhe të burgosurit.

Ministria e Punëve të Brendshme ka siguruar qytetarët se do të vëzhgojë situatën, madje ka paralajmëruar edhe përdorimin e dronëve.

“Në përputhje me vlerësimet e bëra dhe planet e përcaktuara në ditën e zgjedhjeve, nëpunësit policorë do të jenë të pranishëm pranë vendndodhjeve të vendvotimeve, si dhe në pikat kyçe të trafikut, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe zbulimin në kohë të shkeljeve të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Siguria e qytetarëve do të garantohet me mjete standarde materiale – teknike, ekipe mobile dhe punë në pika të caktuara, si dhe do të përdoret teknologji moderne – dronë për kontrollin ajror, me qëllim reagimin më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura në rast incidentesh”, kumtoi MPB-ja.

Kurse në zyrën e Avokatit të Popullit, më 19 tetor, prej orës 7:00 deri ora 19:00, do të funksionojë linja falas e telefonit: 0800-54321, ku qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo shkelje të së drejtës zgjedhore.

Krahas me telefon, qytetarët do të mund të paraqesin shkelje të së drejtës së tyre zgjedhore edhe personalisht në të gjitha zyret e Avokatit të popullit në: Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip, me qëllim që t’u ndihmohet në ralizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre zgjedhore. Po ashtu, qytetarët do të mund për mbrojtjen e të drejtave të tyre të paraqiten edhe në këto numra të telefonit: Tetovë: 044 344-082, Strumicë: 034 329-996, Kërçovë: 045 228-586: Manastir 047 242-310, Shtip: 032 389-701 dhe Kumanovë: 031 431-488./TV21