Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 79-të në botë sipas “Numbeo Health Care Index 2026”, një indeks krahasues që mat perceptimin e përdoruesve për cilësinë e sistemit shëndetësor.

Sipas të dhënave, vendi ka një indeks prej 55.4 dhe një vlerë të lartë të shpenzimeve të perceptuara për kujdesin shëndetësor, me 99.3 në kategorinë e kostos.

Në renditje, Maqedonia qëndron pas Ukrainës dhe Gjeorgjisë, ndërsa para Bosnjë dhe Hercegovinës, Algjerisë dhe Hungarisë.

Në krye të listës janë Tajvani, Koreja e Jugut, Holanda dhe Japonia, me vlerësimet më të larta për sistemet e tyre shëndetësore.

Në nivel evropian, disa vende si Sllovenia, Kroacia dhe Greqia renditen më lart se Maqedonia, ndërsa Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vlerësim më të ulët.

Indeksi i Numbeos nuk është matje zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por bazohet në anketa dhe përvoja të përdoruesve të platformës.

Ai vlerëson cilësinë e shërbimeve, pajisjet mjekësore, stafin, qasjen dhe shpejtësinë e shërbimit.

Sipas analizës, rezultatet tregojnë se Maqedonia mbetet prapa shumë vendeve evropiane, duke reflektuar sfida në funksionimin e sistemit shëndetësor dhe në mënyrën se si qytetarët e përjetojnë atë në praktikë, përfshirë pritjet për termine, qasjen në terapi dhe gjendjen e spitaleve./TV21