Giuseppe Marotta ka marrë pjesë në eventin “Serie C Business Value”, ku u prezantua një analizë mbi tifozërinë dhe ndjekjen e kampionatit elitar italian. Gjatë fjalës së tij, presidenti i Interit foli edhe për mënyrën se si po e përjeton vigjiljen e gjysmëfinales së kthimit të Champions League, ku zikaltrit do të përballen me Barcelonën në “San Siro”. Aty do të përcaktohet edhe “bileta” e parë e finales së madhe të 31 majit në Mynih.

Marotta zbuloi emocionet që po përjeton në ditën para ndeshjes më të rëndësishme të sezonit për Interin, duke theksuar se, pavarësisht përvojës, emocionet nuk zhduken: “Besoj se përvoja nuk e zbeh emocionin, bukuria e futbollit është adrenalina. Kam përjetuar epokën kur erdhën agjentët e futbollistëve, mund të isha bërë edhe unë menaxher, por nuk ke të njëjtën adrenalinë si kur je drejtues. Jam i lumtur që vuaj kësi vigjilje ndeshjesh”.

Eventi shërbeu gjithashtu si rast për një takim të ri mes Marottës dhe Giorgio Chiellinit, me të cilin ndau shumë suksese gjatë epokës së lavdishme te Juventusi (Marotta si drejtues dhe Chiellini si lider në fushë). Për të, Marotta pati vetëm fjalë lavdërimi: “Kam punuar me Giorgion dhe duhet të vlerësohen cilësitë e tij njerëzore, profesionale e të lidershipit. Një futbollist që vetëm shënon, edhe po qe kampion individual, nuk bën dot ekip”.

The post Marotta: Emocioni është bukuria e futbollit, jam i lumtur që vuaj prag ndeshje si Inter-Barcelona appeared first on Telesport.