Ndërmarrja nga Kumanova “Rapid Build” do ta ndërtojë interkonektorin e gazit natyror me Greqinë për 60 milionë euro. Kryeministri, Hristijan Mickoski, konfirmoi se bankat evropiane kanë dhënë dritën jeshile për kompaninë dhe pret që marrëveshja të nënshkruhet në mars. Siç publikoi TV21, Rapid Build ka pasur ofertën më të ulët në tender, ku kanë marrë pjesë gjithsej 5 kompani.

“Më në fund presim që në mars të nënshkruhet marrëveshja për Interkonektorin me Greqinë, tashmë ka përfunduar procedura e tenderit, kemi kompani që ka çmimin më të lirë, ofertën më të mirë. Kemi dritën jeshile nga bankat që financojnë projektin, BEI dhe BERZH, kështu që pres nga këtu të hyjmë me një mundësi, që më në fund interkonektori jugor të jetë funksional dhe operativ”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Pronari i “Rapid Build” Toni Karanfillovski për TV21 tha se janë gati që ndërtimi të fillojë menjëherë pas nënshkrimit dhe vendosjes në punë të kontratës.

“Javën e kaluar kemi marrë konfirmimin zyrtar. Përgatitjet për nënshkrimin e marrëveshjes janë në vijim. Rapid Build do të fillojë punimet e ndërtimit menjëherë pas nënshkrimit dhe vënies në punë të kontratës”, u shpreh Toni Karanfillovski – pronar i “Rapid Build”.

Interkonektori është i gjatë 123 kilometra, kurse pjesa e Maqeodnisë është 67 kilometra – nga Gjevgjelia në Negotinë. Pas mbylljes së tenderit nga Nomagas kumtuan se kompania që do të zgjidhet do të ketë një periudhë 2 vjeçe për të ndërtuar pjesën maqedonase të interkonektorit. Kjo ishte përpjekja e dytë për të zgjedhur kompani ndërtimin e interkonektorit. Më parë, tenderi u anulua pasi bankat evropiane nuk dhanë dritën jeshile. Çmimi më i ulët atëherë ishte 71 milionë euro.